Liga e Kampionëve: ‘Diçka si luftë’ – Milani dhe Interi takohet sot, për herë të parë pas betejës ikonike - NACIONALE

Liga e Kampionëve: ‘Diçka si luftë’ – Milani dhe Interi takohet sot, për herë të parë pas betejës ikonike

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Asnjë fotografi nga derbi i Milanos nuk është më ikonike sesa ajo në të cilën janë Marco Materazzi i Interit dhe Rui Costa i Milanit nga takimi i tyre në Ligën e Kampionëve në vitin 2005.

Sonte, 18 vite më vonë, Interi dhe Milani do të përballet përsëri në Ligën e Kampionëve, për një vend në finalen e garës më të rëndësishme evropiane për klube, pasi e mundën Benficën dhe Napolin, përkatësisht në çerekfinalet e tyre përkatëse.

Një fotografi që i ka mbizotëruar diskutimet – dhe e cila është rikrijuar shpesh me yjet moderne të Milanos Romelu Lukaku dhe Rafael Leao – ishte shkrepur më 12 prill 2005 dhe në të janë Materazzi dhe Rui Costa duke qëndruar përkrah njëri-tjetrit, derisa tifozët hedhin raketa ndriçuese në fushë në ndeshjen e kthimit çerekfinale në Ligën e Kampionëve.

Ajo përballje ishte ndër më të zjarrtat dhe me tensionet më të larta në derbin della Madonnina, por e historia e saj kishte nisur dy vite më herët, më 2003. Në Ligën e Kampionëve atë sezon, Milani e ngriti trofeun evropian pasi e kishte mundur Interin në gjysmëfinale, me rezultat 1:1 nga të dy ndeshjet, por kishte kaluar në finale falë golit të shënuar si mysafir, një realitet frustrues për zikaltrit duke ditur se të dy ndeshjet u zhvilluan në San Siro.

Interi ishte i etur për hakmarrje para çerekfinales famëkeqe të Ligës së Kampionëve në vitin 2005, diçka që e kishte thënë qartazi edhe presidenti i klubit atëherë, Massimo Moratti, para ndeshjes.

“Të themi se gjysmëfinalja e vitit 2003 a mbetur në mendjen tonë. Tani e kemi mundësinë për ta hequr bezdinë. Ne e dimë që derbi është një ndeshje që prodhon më shumë pasion së të gjithë të tjerët, por mendoj se do të jetë diçka interesante për futbollin”, kishte thënë Moratti.

Ndeshja e parë çerekfinale në Ligën e Kampionëve u zhvillua më 5 prill 2005 dhe Milani doli fitues 2:0, falë golave nga Jaap Stam dhe Andriy Shevchenko. Kjo i dha mundësi kuqezinjve të mendonin para kohe për gjysmëfinale, ndërsa zikaltrit mbetet të hidhëruar dhe më të etur për t’u hakmarrë një javë më vonë.

Atmosfera në Giuseppe Meazza ishte plotësisht e zjarrtë më 12 prill në ndeshjen e kthimit dhe të gjitha ulëset ishin të mbushura. Duke qenë se ishte derbi lokal, ndeshja kishte më shumë domethënie se thjesht kalim në rrethin tjetër të garës – ishte për ngjyrat e qytetit: zikaltër apo kuqezi.

Fatkeqësisht për Roberto Mancinin dhe Interin, gjërat nuk shkuan sipas planit, dhe Interi po humbiste 1:0 pas 30 minutave, si pasojë e një goli të Shevchenkos, që ua bëri zikaltërve detyrën edhe më të rëndë.

Interi mendoi se ishte kthyer në lojë kur e barazoi rezultatin në minutën e 71-të pas një goditje me kokë të Estebian Cambiassos, por gjyqtari Markus Merk e shfuqizoi golin për një faull të dyshuar të Julio Cruzit ndaj portierit Dida, një çast që i ndezi tensionet në San Siro.

Vendimi i gjyqtarit i tërboi tifozët e Interit shumë prej të cilëve filluan të hedhin gjësende të ndryshme në fushë, përfshirë raketa ndriçuese, me të cilën u godit në krah edhe Dida. Portieri brazilian ishte larguar nga zona e rrezikshme dhe gjyqtari Merk i ktheu skuadrat në zhveshtore, duke e ndërprerë përkohësisht ndeshjen.

Interi dhe Milani u kthyen në fushë 26 minuta më vonë, por shpejt u bë e qartë se ndeshja nuk do të vazhdonte, prandaj ajo u anulua për arsyeje sigurie.

Milanit iu dha fitorja me rezultat zyrtar 3:0 dhe kështu kaloi në gjysmëfinale, derisa Interi mbeti zemërthyer edhe një herë.

Milani shkoi në finale dhe u përball me Liverpoolin në Stamboll, ku humbi në mënyrë të paparë me penallti, megjithëse po e fitonte finalen 3:0 pas pesës së parë. Interi, në anën tjetër, gjeti pakëz gëzim duke e fituar Kupën e Italisë pasi e mundi Romën në finale.

Tani, 18 vite më vonë, Interi dhe Milani do të përballen përsëri në Ligën e Kampionëve, në gjysmëfinale për të luftuar për lavdi në skenën evropiane përsëri.

Lajme të ngjashme