Lewandowski i lumtur që i bashkohet Ronaldos e Messit në historinë e Ligës së Kampionëve
Sulmuesi Robert Lewandowski u shpreh i lumtur që iu bashkua Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit në listën e lojtarëve të vetëm që kanë shënuar mbi 100 gola në Ligën e Kampionëve.
Polaku u bë vetëm lojtar i tretë që realizoi së paku 100 gola në Ligën e Kampionëve, pas Ronaldos (140) dhe Messit (129).
Të martën mbrëma, Lewa ishte mahnitës duke shënuar dy gola në fitoren 0:3 ndaj Brestit, ndërsa deklaroi se është i lumtur me këtë arritje.
“Jam shumë, shumë i lumtur. 101 gola në Ligën e Kampionëve është një numër i shkëlqyer”.
“Kurrë s’e kam menduar që do të shënoja kaq shumë gola në Ligën e Kampionëve. Që t’i bashkohem Messit dhe Ronaldos... mendoj se ata janë të mirë apo?”.
Polaku ndërkohë pret që Barcelona të këndellet edhe në La Liga, ku së fundmi humbën nga Sociedadi dhe barazuan me Celta Vigon.
“Nuk kemi luajtur shumë mirë së fundmi në la Liga, por ka shumë ndeshje për t’i zhvilluar. Duhet të jemi të duruar, do të shënojmë më shumë në fund”.
“Po shikojmë për ta fituar secilën ndeshje. Nëse mund të shënoj për ta ndihmuar skuadrën do të ishte më mirë. Duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fundin e sezonit”.