Leo Messi ishte në bisedime me Interin, para se t’i bashkohej PSG-së
Legjenda argjentinase Javier Zanetti ka zbuluar se Interi kishte mbajtur bisedime me Lionel Messin kur ishte bërë e qartë se bashkëvendësi i tij do të largohej nga Barcelona më 2021.
Gjigantët evropianë patën një mundësi të rrallë për ta nënshkruar me shtatë herë fituesin e Topit të Artë në verën e vitit 2021, pasi Messi ishte lojtar i lirë.
Barcelona ishte në telashe të mëdha financiare dhe si pasojë nuk qe në gjendje ta mbajë Messin duke i ofruar marrëveshje të re.
Gjiganti italian Inter kishte nisur menjëherë bisedime me Messin për mundësinë që ai të luajë në Giuseppe Meazza, megjithatë zikaltrit nuk ishin në gjendje të garonin me fuqitë e mëdha financiare si Paris Saint-Germain apo klubet e Premierligës.
Zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti, zbuloi për DAZN se si ai kishte biseduar me Messin për mundësinë që ai t’i bashkohej zikaltërve.
“U habita kur ai (Messi) u largua nga Barcelona. Realisht, ne nuk mund të garojmë me PSG-në apo klubet e Premierligës, por ne biseduam me të kur na u ofrua mundësia”, tha Zanetti.

Kjo nuk është hera e parë që Interi kishte tentuar të nënshkruante me Messin, pasi kishte provuar edhe në epokën e presidentit legjendar Massimo Moratti.
Në fund Messi iu bashkua PSG-së, duke nënshkruar kontratë dyvjeçare, e cila pritet t’i skadojë këtë verë.
35-vjeçari, i cili në dhjetor e fitoi Kupën e Botës me Argjentinën, ende nuk ka vendosur për të ardhmen, por raportohet se do ta vazhdojë marrëveshjen me kampionin francez.