Lëndohet Edon Zhegrova, humbet ndeshjen ndaj Angersit
Sulmuesi Edon Zhegrova do të jetë mungesa e madhe e Lilles në udhëtim te Angers shkaku i një lëndimi në kofshë.
Kosovari shkëlqeu në fitoren ndaj Lorient duke shënuar dy gola të vonshëm për t’i ndihmuar skuadrës franceze të arkëtojë pikët e plota.
Mirëpo, nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen e radhës shkaku i një lëndimi në kofshë, gjë të cilën e ka konfirmuar gazeta e njohur franceze “L’Equipe”.
“I goditur në kofshë, Edon Zhegrova (autor i dyfishtë kundër Lorientit në ndeshjen e fundit) u detyrua të humbiste udhëtimin nga Lille në Angers të shtunën”, thuhet në raport.
Edon Zhegrova është duke kaluar në formë të mirë te Lille pavarësisht minutazhës së ulët kohëve të fundit.
Kosovari zakonisht po luan si zëvendësues, gjë që po shton spekulimet lidhur me një largim të mundshëm në afatin kalimtar veror.
Deri më tani, 24-vjeçari në Ligue 1 ka bërë 17 paraqitje duke shënuar tre gola dhe dhuruar pesë asistime. Përndryshe, ai ka shënuar një gol edhe në Kupën e Francës në tre paraqitje sa ka regjistruar.
Zhegrova zhvilloi lojë të mirë edhe për Kosovën ndaj Andorrës në muajin mars, por që fatkeqësisht “Dardanët” nuk arritën të fitonin duke barazuar me rezultat 1:1.