Legjenda rumune Mutu: Loja më e rëndësishme ndaj Kosovës, t’i marrim pikët dhe ciao
Legjenda rumune Adrian Mutu ka këshilluar Rumaninë t’i marrë pikët e plota për ta mbyllur këtë cikël të Ligës së Kombeve.
Rumania është lider me tre pikë para Kosovës, ndërsa “Dardanët” kanë nevojë të premten për një fitore me goldallim prej katër golave.
Këtë përballje e ka komentuar edhe ish futbollisti i Interit, i cili ka kërkuar nga Rumania që ta kryejë kualifikimin për në Ligën B dhe të mos e lërë pastaj në xhiron e fundit.
“Nuk është domosdoshmërisht loja më e vështirë, por më e rëndësishmja. Është e një rëndësie të madhe, sepse, në rast humbjeje, na dërgon në pikën kur në xhiron e fundit bëhet gjithçka më e komplikuar. Kam luajtur edhe vetë me shpatën mbi kokë, siç mund të thuhet, në rast humbjeje…”
“Por, mendoj se kjo nuk do të ndodhë pasi ekipi kombëtar vjen nga katër rezultate pozitive, vjen nga një lojë e mirë, ka shpirt pozitiv. Mendoj se me ardhjen e trajnerit Mircea Lucescu, përreth ekipit kombëtar gjithçka është pozitive, kështu që pres fitore, natyrisht. Të gjithë presin fitore, por mendoj se pragmatizmi duhet të mbizotërojë në kombëtare, duhet t’i mbajmë pikët në shtëpi dhe ‘ciao’.”
“Paraqitja nuk ka kurrfarë rëndësie në këtë moment, duhet të jemi pragmatikë, të mendojmë vetëm për rezultatin. Natyrisht, të gjithë spektatorët në ‘National Arena’ do të jenë me Rumaninë dhe do ta inkurajojnë ekipin, kështu që djelmoshat nuk kanë ndonjë presion ekstra”, deklaroi ai për "Fanatik.ro"
Ndërkohë, përballja mes Rumanisë dhe Kosovës zhvillohet nesër mbrëma me fillim nga 20:45.