Legjenda e Interit thotë se transferimi i Pavard është ideal për zikaltrit
Legjenda e Interit, Beppe Bergomi, beson se Benjamin Pavard nuk do marrë shumë kohë që të përshtatet te zikaltrit, për të cilin thotë se do të jetë vlerë e shtuar në skuadër dhe një transferim ideal.
Fituesi i Kupës së Botës me Francën në 2018 është në prag të bashkimit me zikaltrit për 30 milionë euro plus 2 milionë euro shtesa.
“Ai është një nënshkrim i mrekullueshëm, më pëlqen, por ai ka luajtur pothuajse gjithmonë si mbrojtës i djathtë në karrierën e tij, kështu që ai duhet të përshtatet shpejt me një rol të ri si qendërmbrojtës në një mbrojtje me tre lojtarë,” tha Bergomi për Gazzetta.

“Për mua, ai është perfekt për këtë rol. Ai është një mbrojtës i djathtë, shumë i vështirë për t'u mposhtur në një kundër një. Ai ka përvojë të madhe, ka fituar Kupën e Botës me Francën dhe ka luajtur në gara të rëndësishme”, vazhdoi ish-mbrojtësi i Italisë dhe Interit.

“Ai ka fituar gjithçka me Bayernin. Në këtë aspekt, është e vështirë të gjesh një lojtar më të mirë. Ai shton centimetra, që i duheshin Interit për situata me topa të vdekur, tani mbrojtja e Inzaghit është vërtet e kompletuar. Jam i sigurt se Pavard nuk do të marrë shumë kohë për t'u ambientuar. Ai mund të presë brenda dhe të ndihmojë ekipin në të dyja fazat. Ai është i mirë me topin në këmbët e tij dhe do të jetë një vlerë e shtuar. Me të dhe Matteo Darmian, Interi është i mbuluar në atë rol”.
