Legjenda braziliane e këshillon Neymarin t'i bashkohet Arsenalit
Legjenda braziliane Gilberto Silva mendon se Arsenali do të ishte destinacioni perfekt për sulmuesin Neymar, me këtë të fundit që është i interesuar për të luajtur në Premierligë.
Neymar pritet të largohet nga "Parku i Princave" në fundin e sezonit duke i dhënë fund qëndrimit gjashtëvjeçar, me gjigantin francez që synon ta ndryshojë tërë skaudrën.
Newcastle United është përmendur si opsioni më i mundshëm, mirëpo Silva thotë se Neymar do të bënte mirë nëse kalon te Arsenali.
"Javët e fundit te PSG-ja për Neymarin kanë qenë shumë të çuditshme. Duke parë njerëzit që i shkojnë në shtëpi... nuk pajtohem me këto gjëra, tifozët nuk lejohen të shkojnë te shtëpia e lojtarit për të protestuar".
"Kjo mund të kthehet në makth sepse është e rrezikshme dhe jo e mirë. Shpresoj që të mos ndodh sërish me atë apo ndonjë futbollist tjetër".
"Të gjithë e dinë kualitetin e Neymarit, nuk mund të flas për kualitetin e tij. Me pëlqen mënyra si luan dhe do të doja ta shihja te Arsenali në vend të Newcastle, sepse e dua djaloshin si lojtar por ai gjithashtu ka shumë për të kontribuar te futbolli".
"Ai ka pësuar shumë lëndime që e kanë bërë jetën e vështirë për të por ka shumë për t'i ofruar secilit klub. A do të përshtatej? Epo, kjo do të ishte punë për Mikelin. Duhet të presim dhe të shohim, nuk dua të flas për një lojtar që ka kontratë me PSG-në", deklaroi ai për ‘casinosite.nl’.
Deri më tani Neymar nuk ka komentuar të ardhmen por pas Lionel Messit pritet që edhe ai të shijojë një aventurë të re.