Leart Paqarada në element edhe sot - asistuesi i tretë më i mirë në ligë
Mbrojtësi i krahut të majtë të Kosovës, Leart Paqarada, po vazhdon me formën e mirë sa i përket të qenurit produktiv në fazën sulmuese me anë të harkimeve të tij. Në ndeshjen që po e zhvillon skuadra e tij ndaj Dinamo Dresden, mbrojtësi me origjinë nga Llapi u përkujdes që të ofrojë një asist të çmuar - që mundësoi barazimin e rezultatit para fundit të pjesës së parë, me rezultat 1 me 1.
Njëherit ky i fundit ishte asisti i tetë që regjistroi në ligën e rëngut të dytë gjermane. Në këtë statistikë renditet i treti, pasi asiste më shumë sesa ai kanë vetëm Kittel me 10 asiste dhe Narey me 9 sosh. As kjo nuk i ndihmoi skuadrës nga qyteti i Hamburg që të arrijë më shumë sesa një pikë në sfidën e sotme, duke e humbur kësisoj një mundësi të artë që t'i arkëtojë tri pikë të plota që do t'u shërbenin atyre për ta rikthyer kryesimin në renditjen tabelare.
St. Pauli javët e fundit ka humbur pozitën e parë në renditjen tabelare, pas disa rezultateve me disa luhatje të lehta që mori. Një gjë e tillë ua komprometoi disi ecurinë në kampionat.
Githsesi, diferencat janë të vogla në çdo rast në garën për dy pozitat e para dhe deri në fund Leart Paqarada mund të shpresojë që do ta sigurojë një vend për të qenë pjesë e Bundesligës nga sezoni 2022/2023. Madje, St. Pauli me pikë të barabarta me Darmstadt dhe Werder Bremen ndan tri pozitat e para, me këtë të fundit që ende nuk e ka zhvilluar ndeshjen e saj.
Mbrotjësi kosovar ka qenë i pranishëm në të gjitha ndeshjet që ka luajtur skuadra e St. Pauli në kampionat, duke mos munguar asnjëherë. Madje, që të gjitha i ka nisur titullar, duke mos u ulur kurrë në stol paraprakisht nga trajneri francez, Loic Fave. Besimin e madh të trajnerit, Leart Paqarada po ia shpaguan në mënyrën më të mirë.
Sado që ende ka hapësirë për ta përmirësuar aspektin defansiv të lojës, tipar që gjithnjë e ka shoqëruar përgjatë karrierës së tij në Gjermani, ai të paktën po ia del të jetë frytdhënës kur bëhet fjalë për aksionet sulmuese, ku hisedar i golave të shënuara nga skuadra e tij ka qenë edhe vetë ai, përtej asisteve me të cilat i ka shërbyer bashkëlojtarët, ai ka kontribuar edhe me dy gola tjerë në kampionat.
Sa i përket kombëtares së Kosovës, ai kishte vendosur gjatë muajit prill të vitit të kaluar që për sa kohë të ishte Bernard Challandes përzgjedhës, nuk do të grumbullohej me ekipin dardan. Që prej atëherë, asnjëherë më nuk ka qenë pjesë e grumbullimeve të Kosovës. Tani me largimin e Bernard Challandes dhe me afrimin e trajnerit Alain Giresse, mbetet për t'u parë sesi do të veprojë ky i fundit dhe FFK me Leart Paqaradën. Gjatë ditëve të ardhshme do të mësohet nëse atij do t'i dërgohet ftesa për dy ndeshjet miqësore që do t'i ketë kombëtarja jonë në këtë muaj. Ajo që dihet është se, për momentin që po flasim, Learti është mbrojtësi i majtë i vetëm natyral që Kosova mund të llogarisë në shërbimet e tij.