Leart Paqarada: Mezi pres të luaj për shtetin tim në kualifikueset e Kampionatit Evropian - NACIONALE

Leart Paqarada: Mezi pres të luaj për shtetin tim në kualifikueset e Kampionatit Evropian

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbrojtësi i St.Paulit, Leart Paqarada ka pranuar se mezi po pret ta dëshmojë vetën nën urdhrat e Alain Giresses te kombëtarja e Kosovës.

Tashmë kanë kaluar mbi një vit që kur Paqarada njoftoi se nuk do të pranojë ftesën e Kosovës nën urdhrat e Bernard Challandes, pasi ky i fundit e ftonte por nuk i jepte minuta.

Sidoqoftë, situata ka ndryshuar dhe duke marrë parasysh formën aktuale Paqarada mund të ftohet nga Giresse qysh në dy ndeshjet e muajit mars.

Për faqen zyrtare të St.Paulit, Paqarada ka bërë të ditur se këta muajt e fundit ka qenë në kontakte të vazhdueshme me FFK-në dhe mezi pret të luajë në kuadër të kualifikuesve për Kampionatin Evropian "Euro 2024".

"Në këta muajt dhe vitet e fundit kemi qenë në kontakte, aktualisht ka pasur bisedime pozitive. Shpresoj dhe mendoj se do të jem aty. Mezi pres, ishte gjithnjë një ndjenjë e bukur".

"Pushimi ishte i mirë, por tani jam i emocionuar që të luaj për shtetin tim në kualifikueset për Kampionatin Evropian. Kjo është emocionale dhe më ka munguar gjatë këtij viti e gjysmë", deklaroi ai.

Përndryshe, Paqarada që nënshkroi kontratë me skuadrën gjermane Koln gjithashtu deklaroi se është duke shijuar momentin te St.Paul duke dhënë 100 për qind në fushë.

"Përveç kërkimit të një apartamenti apo shtëpie, nuk e kam menduar ende këtë temë. Kolni po vjen dhe nuk po ikën. Po e shijoj kohën këtu dhe mezi pres të them lamtumirë me lot në sy, sepse po kaloj akoma shumë mirë ketu. Do vazhdoj të jap 100 për qind në fushë”.

“Po kënaqem shumë, sezoni mund të vazhdojë kështu. Këtu ndihem mirë edhe në ditë të këqija. Kemi një ambient të mrekullueshëm këtu dhe ju mund të punoni shumë mirë. Pra kushtet janë të mrekullueshme dhe fansat janë të pabesueshëm. Klubi ju jep një shumë – pavarësisht nga rezultatet”.

Kosova i nis kualifikueset si mysafir i Izraelit, derisa tre ditë më vonë e pret Andorrën në “Fadil Vokrri”.

Lajme të ngjashme