Lazio me dy gola të vonshëm të Immobiles e mposht Celticun, Shakhtar fiton ndaj Royal Antwerp - NACIONALE

Lazio me dy gola të vonshëm të Immobiles e mposht Celticun, Shakhtar fiton ndaj Royal Antwerp

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të ditës së sotme të Ligës së Kampionëve, aty ku Lazio e ka mposhtur Celticun 2:0, ndërsa në anën tjetër Shakhtar Donetsk me rezultat minimal 1:0 ka fituar ndaj Royal Antwerp.

Lazio tani është shumë afër kalimit tutje, ku me një fitore të Atletico Madridit sonte do të sigurohej gjithçka, ndërsa në grupin e skuadrës nga Ukraina gjërat janë më të komplikuara, pasi tre skuadra kanë nga nëntë pikë, me Barcelonën e Porton që përballen sonte dhe disa gjëra edhe në këtë grup mund të sqarohen para ndeshjes së fundit.

Lazio - Celtic

Pjesa e parë e takimit në Olimpico ishte e barazpeshuar, me vendasit që kishin disa raste e në anën tjetër mysafirët kishin posedimin, por rezultati nuk ndryshoi.

45 minutat e dyta filluan njëjtë, por përfundimi ishte dramatik.

Ciro Immobile ishte aty kur skuadra kishte më së shumti nevojë për tre pikë. Sulmuesi italian shënoi dy gola të shpejtë (në minutën e 82-të dhe 85-të) për t'ia dhënë skuadrës së tij tre pikë shumë të rëndësishme.

Lazio momentalisht kryeson në grupin E me 10 pikë, ndërsa Celtic e fundit pa asnjë shpresë me vetëm një pikë.

Shakhtar Donetsk - Royal Antwerp

Shakhtar Donestk ka arritur të marrë pikët e plota në shtëpi ndaj skuadrës së Arbnor Mujës, ndonëse patën një paraqitje të zbehtë.

Një gol në fillim të takimit i mjaftoi ukrainasve për pikët e plota dhe tani gjenden në pozitë tejet të mirë, duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim tutje.

Mykola Matviyenko shënoi në minutën e 12-të për 1:0, që ishte rezultati përfundimtar.

Shakhtar ka nëntë pikë, aq sa kanë Barcelona e Porto që përballen sonte, ndërsa Royal Antwerp pa asnjë pikë dhe asnjë gjasë.

Lajme të ngjashme