Laura Fazliu e fiton medaljen e bronztë në Botërorin e Xhudos - NACIONALE

Laura Fazliu e fiton medaljen e bronztë në Botërorin e Xhudos

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Laura Fazliu, ka bërë paraqitje fantastike në Botërorin e Xhudos që po mbahet në Abu Dhabi, pasi ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 63 kilogram.

Kosovarja që është numri 3 në botë në këtë kategori, tregoi edhe një herë se pse llogaritet një xhudiste me të ardhme të artë, për të trasuar rrugën e Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit e Nora Gjakovës.

Rrugëtimi i Laurës filloi me një përballje me Katarina Kristo, të cilën e mposhti me Waza-ari, për të kaluar në 1/8 e finales.

Aty pati punë me garuesen ruse Dali Liluashvili, e cila lufton me flamurin e federatës së xhudos, me kosovaren që fitoi lehtësisht me Ippon, për të siguruar një vend në çerekfinale.

Në çerekfinale Laura Fazliu u mposht nga sllovenja Andreja Leski, por që rruga për te medalja nuk përfundoi këtu, pasi tani ishte në repesazh.

Në gjysmëfinale të repesazhit u takua me australianen, Katharina Haecker, luftë të cilën e fitoi me Ippon, për të kaluar në luftën e fundit, për medalje të bronztë.

Në finale të repesazhit pati punë me kanadezen, Catherine Beauchemin-Pinard, të cilën e mposhti në kohën e rregullt me një Waza-ari, për t'u stolisur me medalje të bronztë.

Kjo është medalja e parë për këtë vit për Laura Fazliun, një shpresë olimpike për Kosovën në Lojërat që zhvillohen këtë vit në Paris.

Lajme të ngjashme