Lajm i mirë për Arsenalin, Calafiori i gatshëm për përballjen ndaj Crystal Palaces
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka konfirmuar se Riccardo Calafiori është kthyer nga lëndimi dhe do të jetë i gatshëm për përballjen e Topçinjve në udhëtim te Crystal Palace këtë fundjavë.
Ish-qendërmbrojtësi i Bolognës ka munguar në tre ndeshjet e fundit të Premierligës, si dhe ndeshjet e fundit në Ligë të Kampionëve dhe EFL Kupës për shkak të një dëmtimi të paspecifikuar.
Megjithatë, ai do të rikthehet në veprim kur Arsenali të përballet me Crystal Palace jashtë shtëpisë të shtunën.

“Ata të dy janë të disponueshëm për të qenë në skuadër”, tha Arteta gjatë konferencës së tij për shtyp para ndeshjes kur u pyet për gjendjen fizike të Calafiorit dhe shokut të tij të skuadrës Declan Rice.
22-vjeçari është penguar shumë nga lëndimet që kur u transferua në Londrën e Veriut për 50 milionë euro në verë.
Ai tani ka marrë tre dëmtime të ndryshme të lehta që nga fillimi i sezonit 2024-25: Një lëndim në shtator, një problem në gju në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit dhe dëmtimi më i fundit, i cili e ka mbajtur atë jashtë pesë ndeshjeve.