Kyrgios dhe Nadal eliminohen befasisht nga Cincinnati
Nick Kyrgios dhe Rafael Nadal janë eliminuar nga Cincinnati që në fazat e para të kësaj gare. Australiani u eliminua nga Taylor Fritz, ndërsa spanjolli nga Borna Coric.
Të dy u eliminuan në 1/16 e finales, por që Kyrgios kishte zhvilluar një ndeshje më herët në 1/32 e finales, ndërsa Nadal ishte direkt në këtë fazë.
Kështu me humbjen e Kyrgios nga Fritz, rekordi i tij shkon në 16 fitore në 18 ndeshjet e fundit, ku më herët u mposht në finalen garës më të madhe të Tenisit, Wimbledon, ndaj Novak Djokovic.
Fritz ishte i jashtëzakonshëm, duke fituar në dy sete 6:3 dhe 6:2, duke bërë një vend në raundin e tretë të kësaj gare.
Kjo përballje ishte ndërmjet lojtarëve që njihen për servime të forta, dhe ky ishte aspekti që i dha amerikanit fitoren, duke bërë 16 ase kundrejt vetëm shtatë të Kyrgiosit, kështu duke kompensuar gabimet e shpeshta të dyfishta.

Amerikani i cili gjendet i 11-ti në ranglistën ATP, pas ndeshjes tha: “Ndjehem mirë që loja ime erdhi sot. Ky është lloji i ndeshjes që më duhej vërtetë, për të më dhënë më shumë besim për ndeshjen e ardhshme, gjithashtu për US Open.”
Tani Fritz do të përballet me rusin, Andrey Rublev, numrin gjashtë në botë, i cili fazën e 1/16 e kaloi me vështirësi ndaj Fabio Fognini, me rezultat 6:7(7), 7:6(3) dhe 6:2.
Ndërsa në anën tjetër, Coric, arriti ta mposhtë Nadalin, kështu duke quar rekordin e tij në 3 fitore nga pesë ndeshje të luajtura me spanjollin, për më tepër kjo ishte fitorja e 10-të e kroatit ndaj lojtarëve që gjenden në top 5 në ranglistën ATP.

Nadal u kthye në fushat e tenisit, pas një dëmtimi që pësoi në abdomenin e tij në Wimbledon, si pasoj u tërhoq nga gjysmëfinalja.
Në paraqitjen e parë, befasisht u eliminua nga kroati i cili gjendet i 152-ti në ranglistë, me rezultat 7:6, 4:6 dhe 6:3, pra 2:1 në sete.
Renditja aktuale e kroatit nuk është se tregon nivelin e kualitetit të tij, pasi që dy vite më parë ishte i 12-ti, por një lëndim në shpatull e mbajti atë jashtë fushave kështu duke humbur shumë në pozitë.
Coric pas ndeshjes tha: “Shumë rikthim i veçantë. Kam qenë jashtë për dy vite, nuk luajta për një kohë të gjatë para një turme të madhe. Sinqerisht mezi prisja të luaja këtë ndeshje, pasi nuk e kisha provuar këtë ndjesi qe një kohë. Tani, që kam fituar, thjesht më duket e çmendur, do të thosha.”
Ndeshjen e radhës kroati e zhvillon kundër Roberto Bautista Agut, sot me fillim nga ora 21:00.