Kur Munishi premtonte revolucion e trofe me Prishtinën - NACIONALE

Kur Munishi premtonte revolucion e trofe me Prishtinën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ismet Munishi kishte bërë zotime tejet të mëdha kur ishte emëruar trajner i Prishtinës para jo më larg se nëntë muajve. Nga titulli në Superligë, te pjesëmarrja në garat evropiane e deri te një revolucion historik.

Sot, lëre që nuk ishte kurrë në luftë për titull, por ai e la Prishtinën më afër rënies nga liga se një vend që dërgon në garat evropiane.

Prishtina e shkarkoi Munishin të hënën për shkak të rezultateve shumë të dobëta të skuadrës nën udhëheqjen e tij.

Duke folur si trajner i Prishtinës për herë të parë në qershor 2022, Munishi kishte premtuar “Prishtina gjithmonë lufton për titull. E kemi parasysh që nuk do të jetë e lehtë, por ne do të luftojmë për trofe dhe dalje në Evropë dhe besoj që do t’ia arrijmë qëllimit.”

Në 25 ndeshje si trajner i Prishtinës, Munishi i fitoi tetë, i humbi nëntë dhe barazoi në tetë të tjera.

Që prej rifillimit të sezonit 2022/23 në Superligë, Prishtina e ka shënuar vetëm një fitore në shtatë ndeshje, duke i humbur katra dhe duke barazuar në dy të tjera.

Munishi e lë Prishtinën në vendin e katërt me 32 pikë, shtatë pikë larg Evropës, dhe vetëm pesë pikë larg zonës së rënies nga Superliga.

Ajo që varet nga ne, nga unë dhe futbollistët, ne do t’i kryejmë detyrat tona me përpikëri dhe që këtu do t’i garantoj që Prishtina do të luajë në garat evropiane”, kishte premtuar Munishi.

Ai e mori në dorë një Prishtinë në telashe financiare, por këmbënguli se i ishte bashkuar bardhekaltërve në kohën e duhur për të bërë revolucion.

Unë mendoj se jam në kohën e duhur te Prishtina, sepse kam ardhur në kohën e revolucionit dhe në kohën kur klubit tim të qytetit i është dashur ndihmë e jashtëzakonshme

Ai kishte nënvizuar: “Si trajner do të hyj në histori që në 100-vjetorin e klubit kam ardhur dhe me disa djem të rinj kemi bërë revolucion në skuadër dhe do të bëjmë revolucion edhe në futbollin e Kosovës, jam jashtëzakonisht i bindur”.

Pas shkarkimit të Munishit, klubi kryeqytetas njoftoi se skuadrën do ta udhëheqë ndihmëstrajneri Debatik Curri përkohësisht.

Gazeta Nacionale merr vesh se Ardian Nuhiu, ish-trajneri shumëvjeçar i Dritës, dhe Ramiz Krasniqi, janë dy prej mundësive që po i shqyrton klubi për detyrën e trajnerit.

Burime brenda klubit bardhekaltër kanë thënë se ende nuk kanë nisur bisedimet me ndonjë trajner, por i shohin Nuhiun dhe Krasniqin si dy mundësitë kryesore.

Nuhiu, 44 vjeç, është pa klub qëkur u largua nga Drita në nëntor të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme