Kur dhe ku do të hidhet shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve? - NACIONALE

Kur dhe ku do të hidhet shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Me fitoret e Real Madridit dhe Napolit, tashmë janë kompletuar tetë skuadrat çerekfinaliste të Ligës së Kampionëve, por le ta mësojmë se kur, ku dhe si do të funksionojë shorti e gjithashtu kur do të zhvillohen ndeshjet?

Bayern Munich, Milan, Benfica, Chelsea, Real Madrid, Napoli, Manchester City dhe Interi janë tetë skuadrat që do të paraqiten në ¼ e finales.

Bayern Munich e eliminoi Paris Saint-Germain me rezultat të përgjithshëm 3:0, Milani fitoi përballë Tottenhamit me rezultat minimal 1:0, ashtu bëri edhe Interi ndaj Portos, Real Madridi e shkatërroi tërësisht Liverpoolin me rezultat 6:2, Benfica gjithashtu u tregua e pamëshirshme me Club Brugge 7:1, Chelsea me dy fitore solide ndaj Dortmundit u kualifikua tutje me rezultat të përgjithshëm 3:0, Napoli vazhdoi sezonin e jashtëzakonshëm me fitore 5:0 ndaj Frankfurtit, ndërsa Manchester City shënoi rezultatin më të thellë nga dy ndeshjet duke triumfuar pas 180 minutave 8:1.

Kur dhe ku do të mbahet shorti?

Shorti do të mbahet më 17 mars, me fillim nga ora 12:00 në Selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës.

Në të njëjtën ditë do të hidhet shorti edhe për gjysmëfinalet, pra aty do të mësohen edhe çiftet e ½ së finales, ndërsa një short i tretë do të përcaktojë se kush do të jetë skuadra vendase në finale, për arsye administrative, pasi finalja luhet në stadium neutral, në Stamboll të Turqisë, saktësisht në Ataturk Stadium.

Si funksionin shorti i Ligës së Kampionëve në këtë fazë?

Në short do të prezantohen tetë skuadrat triumfuese. Në këtë fazë nuk do të ketë më dallime me skuadrat nga i njëjti vend, që do të thotë se skuadrat po nga i njëjti shtet mund të përballen me njëra-tjetrën.

Pra mund të kemi përballje mes skuadrave italiane që janë tri sosh, gjithashtu përballje angleze mes Manchester City - Chelsea.

Në të njëjtën ditë do të hidhet shorti edhe për dy garat tjera evropiane, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.

Kur do të zhvillohen ndeshjet çerekfinale?

Ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve do të zhvillohen në muajin Prill.

Fillimisht ndeshjet e para të këtij rrethi do të zhvillohen më 11/12 prill, teksa ndeshjet e kthimit zhvillohen më 18/19 prill, pra një javë më vonë.

Teksa gjysmëfinalet zhvillohen në muajin maj, saktësisht më 9/10 ndeshjet e para dhe 16/17 ndeshjet e kthimit.

Finalja e madhe e Stambollit në stadiumin olimpik Ataturk do të zhvillohet më 10 qershor 2023.

Lajme të ngjashme