Kupa e Kosovës: Llapi në gjysmëfinale, pas fitores dramatike me penallti kundër Malishevës
Llapi ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës për vitin e tretë radhazi, pasi e mundi Malishevën në penallti.
Llapi i ka mbajtur gjallë shpresat për ta fituar Kupën e Kosovës për herë të tretë radhazi, duke kaluar në mesin e katër ekipeve më të mira falë një fitoreje dramatike 6:5 me penallti ndaj Malishevës.
Klubi nga Podujeva i bashkohet Prishtinës, Vushtrrisë dhe Gjilanit në gjysmëfinale.
Llapi e gjeti veten në disavantazh në përfundim të pjesës së parë, pavarësisht se kishte kaluar në epërsi herët kur Trimror Selimi kishte shënuar në minutën e 11-të.
Por dy gola nga Ilir Mustafa dhe Ronald Sobowale në minutat 25 dhe 43 i dhanë shpresë Malishevës për një gjysmëfinale të ëndërruar.
Kushtrim Shabani e mbajti kampionin në fuqi në lojë kur shënoi për ta barazuar në 2:2 rezultatin në minutën e 68-të.
Ky rezultat bëri që loja të shkonte në vazhdime dy herë nga 15 minuta, ku nuk pati gola dhe fituesi duhej të përcaktohej nga gjuajta e penalltive.
Të gjithë pesë futbollistët nga të dy anët i shënuan penalltitë e tyre të para, duke bërë që gjuajtja e nga një penalltie në vazhdim të ishte vendimtare.
Derisa Andri Stafa e shënoi penalltinë e gjashtë për vendasit, Ronald Sobowale e humbi gjuajtjen e gjashtë të vizitorëve dhe Llapi kaloi në gjysmëfinale me rezultat 6:5.