Kupa e Kosovës: Llapi e mposht Dritën për ta fituar Kupën e Kosovës për herë të dytë radhazi - NACIONALE

Kupa e Kosovës: Llapi e mposht Dritën për ta fituar Kupën e Kosovës për herë të dytë radhazi

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Llapi ka arritur ta mposhtë skuadrën e Dritës me rezultat 2:1, dhe kësisoj është shpallur Kampion i Kupës së Kosovës.

Ndeshja u zhvillua në terren neutral, pra në ‘Fadil Vokrri’ dhe interesimi ishte i madh për ta parë këtë ndeshje.

Llapi e filloi shumë më mirë takimin, duke shënuar menjëherë gol në minutën e 6-të të ndeshjes me anë të një supergoli të Francisco Rivera nga gjuajtja e lirë.

Festa në stadium nga tifogrupi ‘Legjendat’ filloi menjëherë duke festuar me mjete piroteknike.

Edhe pas golit të shënuar, Llapi u tregua më kërkuese ku në minutën e 21-të rrezikoi me anë të brazilianit Alef Firmino, por gjuajtja e tij me kokë përfundoi jashtë portës.

Rasti i parë i ndeshjes për Dritën erdhi në minutën e 27-të, ku Almir Kryeziu tentoi me një gjuajtje të fortë, por ishte qendrore dhe lehtë e kontrollueshme nga gardiani i portës së Llapit, Ilir Avdyli.

10 minuta nga rasti i parë i Dritës, pra në minutën e 37-të erdhi edhe goli i barazimit, ishte Muharrem Jashari me një harkim në zonë ku e gjete Hamdi Namanin i cili me kokë dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1:1.

Deri në përfundimin e pjesës së parë nuk pati ndonjë rast që mund të veçohej e 45 minutëshi i parë u mbyll me rezultat të barabartë 1:1.

Ashtu si në pjesën e parë, edhe në pjesën e dytë Llapi e nisi furishëm ku vetëm pas tre minutave realizoi golin e epërsisë për herë të dytë në këtë ndeshje. Kësaj radhe shënoi mesfushori Arbnor Ramadani i cili me një goditje të fuqishme në minutën e 48-të e dërgoi topin në rrjetë, për rezultatin 2:1 për Llapin.

Llapi nuk u ndal me kaq, në minutën e 58-të të takimit ishte Ilir Krasniqi i cili goditi fuqishëm shtyllën, por kësaj radhe ishte me fat Leotrim Rexhepi.

Deri në fund të ndeshjes nuk pati më raste nga të dyja palët, e për rrjedhojë ndeshja përfundoi 2:1 për Llapin, të cilët u shpallën Kampion të Kupës së Kosovës për herë të dytë me radhë.

Lajme të ngjashme