Kroos me letër për fansat e Realit: Gjithmonë doja të pensionohesha këtu, ju dua
Mesfushori i Real Madridit Toni Kroos i ka falënderuar tifozët pasi njoftoi pensionimin për në verë.
Gjermani befasoi të gjithë duke njoftuar se do të pensionohet pas Kampionatit Evropian “Euro 2024”, pavarësisht që kishte pak shpresë se mund të rinovonte edhe për një tjetër sezon.
Kroos ka reaguar pas pensionimit, duke i falënderuar tifozët e Real Madridit dhe shpjeguar se asnjëherë s’donte të luante për një skuadër tjetër përpos “Los Blancos”.
“Gjithmonë kam thënë se doja të pensionohesha këtu dhe kjo do të ndodhë. Kurrë nuk doja të shkoja te ndonjë klub tjetër pas Madridit”.
“Mund të luaj edhe disa vite tjera, por nuk doja që të qëndroja në stol, dua ta shijoj... jam shumë mirënjohës, vërtetë”.
“Janë bërë 10 vite, është e veçantë, klubi është i veçantë, tifozët gjithashtu dhe Real Madridi ma ndryshoi jetën”.
“Dua që të më kujtoni si lojtari që jam tani. Qëllimi im ka qenë ta mbyllja në mënyrën më të mirë, ky sezon ka qenë një nga më të mirët. Është momenti i mirë për t’u larguar. Dua të më kujtoni, si ky lojtar”.
“Është vendimi më i vështirë i karrierës por jam i sigurt se është më i miri dhe duhuri për të gjithë”.
“Ju dua fansat e Realit. Do të jem gjithnjë një nga ju. Tani dua që t’i harroni këto fjalë dhe të fokusohemi në finalen e Ligës së Kampionëve”.
Brenda 10 viteve, Kroos ka fituar 22 trofe me Real Madridin, ndërsa finalja e Ligës së Kampionëve zhvillohet më 1 qershor.