Kroacia alarmon 'Grupin e Vdekjes' në EURO 2024, e mposht Portugalinë - NACIONALE

Kroacia alarmon 'Grupin e Vdekjes' në EURO 2024, e mposht Portugalinë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kroacisë ka dërguar një mesazh të fortë sot skudrave të Grupit të Vdekjes në EURO 2024, duke përfshirë Shqipërinë, Italinë dhe Spanjën, pasi me një paraqitje fantastike ka mposhtur 2:1 Portugalinë.

Kroacia e Portugalia u përballen në Lisbonë në një miqësore para fillimit të EURO 2024 në Gjermani.

Mysafirët kaluan shpejt në epërsi. Zhvillohej minuta e tetë, kur Luka Modric shënoi qetësisht nga penalltia për 1:0.

Ky ishte goli i vetëm i pjesës së parë, ndërsa në 45 minutat e dyta secila kombëtare shënoi nga një gol.

Fillimisht pas një dalje të shpejt, Portugalia arriti ta barazonte rezultatin në 1:1, me Semedon që asistoi për Diogo Jotan, që lehtësisht pa asnjë pengesë e çoi topin në rrjetë në minutën e 48-të.

Por, Kroacia e ktheu epërsinë menjëherë. Ivan Perisic tentoi harkimin në zonë, me topin që nuk u largua edhe aq mirë, teksa Mario Pasalic e goditi shtyllën nga distanca dhe nga topi i kthyer Ante Budimir shënoi në minutën e 56-të për rezultatin përfundimtar 2:1.

Deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat, me Kroacinë që fitoi përballjen ndaj Portugalisë, me këta të fundit që konsiderohen si një nga favoritët për Kampionatin Evropian.

Kroacia nuk do të ketë më miqësore dhe tani fokusin e ka te EURO 2024 ku gjendet në Grupin e Vdekjes me Shqipërinë, Italinë dhe Spanjën, ndërsa në anën tjetër Portugalia do ta ketë edhe një miqësore para Evropianit, ku përballen me Irlandën, teksa në EURO janë në grupin F me Çekinë, Turkinë dhe Gjeorgjinë.

Lajme të ngjashme