Krizë e thellë për Llapin, mposhtet nga Ballkani | Suhareka triumfon në udhëtim te Malisheva
Ballkani ka shënuar fitoren e parë në krye me trajnerin e ri Orges Shehi, duke mposhtur Llapin me rezultat 2:1, e në anën tjetër me të njëjtin rezultat ka përfunduar takimi mes Malishevës e Suharekës, në të mirë të këtyre të fundit.
Llapi tashmë është në një krizë të thellë, pasi nuk dinë për fitore në 10 takimet e fundit në Superligë, ndërsa kjo sot është humbja e dytë radhazi.
Kampioni në fuqi që erdhi në këtë përballje nga barazimi me Ferizajn, sot arkëtoi tre pikët e para me trajnerin Shehi.
Bajram Jashanica e realizoi golin e parë të takimit, kur u tregua i saktë nga penalltia në minutën e 33-të.
Në fund të pjesës së parë, Ballkani pati edhe një rast të mirë, por që portieri Laroshi ishte në vend dhe 45 minutat e parë përfunduan me rezultat 1:0.
15 minuta pasi filloi pjesa e dytë, Queven Inacio Da Silva, dyfishoi epërsinë.
Llapi nuk ishte e aq e fuqishme sa të përmbyste rezultatin dhe krejt çfarë bëri ishte goli për 2:1 nga Ardit Tahiri në minutën e 74-të.
Me këtë fitore, Ballkani tani ka 30 pikë dhe rremben vendin e dytë me shtatë pikë më pak se lideri Drita, që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Në anën tjetër, Llapi gjendet në zonën që rrezikon rënien nga Superliga e Kosovës me vetëm 17 pikë në 17 ndeshje.
Përballja tjetër sot në Superligë ishte Malishevës e Suharekës.
Suharekasit triumfuan në udhëtim me rezultat 2:1.
Golashënuesi më i mirë i Superligës, Mevlan Zeka, shënoi për 1:0 në minutën e 21-të.
Drilon Hazrollaj e gjeti rrjetën 13 minuta më vonë, por goli u anulua nga VAR.
Në minutën e 40-të, Zeka e shënoi golin e dytë personal, duke dyfishuar epërsinë e Suharekës.
Në pjesën e dytë u shënua vetëm një gol. Ishte Hazrollja që ngushtoi rezultatin në 2:1 në minutën e 73-të, dhe tutje ndryshim nuk pati, me Suharekën që iu gëzua fitores së radhes.
Kjo është fitorja e dytë me radhë për Suharekën në Superligë, që tani kanë 25 pikë nga 17 ndeshje dhe gjendet në vendin e pestë, një më pak se Prishtina e vendit të katërt.
Malisheva bie në vendin e tretë dhe rrezikon ta humbasë edhe atë pozitë nga Prishtina, që nesër përballet me Feronikelin 74.