Kosova U21 zhvillon seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Poloninë
Kombëtarja e Kosovës U21 e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para përballjes me Poloninë U21.
“Dardanët” e rinj do të zhvillojnë një sfidë të vështirë ndaj polakëve, që renditen në grupin e dytë në kuadër të Kampionatit Evropian “Euro 2025 U21”.
Për faqen zyrtare të FFK-së, përzgjedhësi Afrim Tovërlani tha se pret një përballje të vështirë ndaj Polonisë U21, por që do të japin maksimumin.
“Përformanca e djemve është shumë e mirë, të gjithë janë mirë. Sa i përket kundërshtarit, s’kam çfarë të shtoj, ka qenë favorit i grupit së bashku me Gjermaninë. E jona është që të bëjmë më të mirën për të nxjerrë një rezultat pozitiv. Duhet të jemi të matur, por megjithatë do të insistojmë të marrim maksimumin”.
“Kemi disa mungesa, por këta që janë të ftuar do ta arsyetojnë pse janë të ftuar dhe pse kanë marrë ftesë”.
Kujtojmë, përballja do të nis me fillim nga ora 19:00 ndërsa hyrja në “Fadil Vokrri” do të jetë falas për të gjithë tifozët.