Kosova U19 pëson humbje të thellë ndaj Austrisë
Kombëtarja e Kosovës ka pësuar disfatë në shtëpi ndaj Austrisë U19, në kuadër të xhiros hapëse për kualifikueset për Kampionatin Evropian “Euro 2025”.
“Dardanët” e rinj nuk ishin në gjendje t’i bënin ballë Austrisë U19, të cilët triumfuan me rezultat 0:4 në “Fadil Vokrri”.
Pas vetëm nëntë minutave lojë Austria kaloi në epërsi përmes Phillip Verhouing (9’).
Kosova në këtë pjesë ishte shumë e qetë, duke mos arritur assesi ta mbajë posedimin e topit dhe tentoi vetëm përmes disa driblimeve nga sulmuesit e krahut.
Austria vazhdoi me të njëjtin ritëm edhe në pjesën e dytë, ku ishte prapë Verhouing që u përkujdes për ta dyfishuar epërsinë (65’).
Ndërsa, golin e tretë e realizoi Leon Grgic me një goditje të saktë (73’).
Fitoren e thellë pastaj e vulosi sulmuesi Ogheneteijiri Adejenughure (80’).
Kësisoj, Austria e Spanja U19 kanë mbledhur nga tre pikë pas xhiros së parë, ndërsa Kosova e Ishujt Faroe janë pa pikë.
Në xhiron e ardhshme, “Dardanët” e rinj do të përballen me Spanjën ku fitorja është e domosdoshme.
Kujtojmë, dy pozitat e para avancojnë në fazën e dytë ndërsa pozita e tretë shkon në play-off.