Kosova U19 i nis përgatitjet për kualifikueset e Evropianit 2025 - NACIONALE

Kosova U19 i nis përgatitjet për kualifikueset e Evropianit 2025

3 javë më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës U19 i ka nisur përgatitjet për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian “2025, që do të zhvillohen nga 13 deri më 19 nëntor.

Kosovën e presin disa sfida të vështira ndaj gjigantëve si Spanja, Austria si dhe Ishujt Faroe.

Tashmë, Kosova U19 ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në Hajvali, ndërsa përzgjedhësi Adil Maliqi është optimist se mund të arrijnë suksese.

“Atmosfera është shumë e mirë. Të gjithë djemtë kanë ardhur shëndoshë e mirë pa lëndime. Cilësia që kemi është shumë e lartë. Kundërshtarët në grup janë goxha të vështirë, por as ne nuk jemi kundërshtar i lehtë, andaj na presin tri ndeshje shumë të mira dhe jam i bindur që do të triumfojë në fund. Motivimi tek lojtarët është absolut për ta prezantuar atdheun para publikut të vet dhe jam i bindur se ata tifozë që vijnë do të jenë lojtari ynë i 12-të dhe do të na japin një shtysë pozitive, e të cilën mund t’ua kthejmë me performancë në fushë. I vlerësoj kundërshtarët shumë pavarësisht se për kë bëhet fjalë, sepse çdo kombëtare i mbledh futbollistët e saj më të mirë, por ne e kemi një cilësi të hatashme dhe pres shumë nga këta djem. Të gjithë premtojnë shumë, të gjithë janë me kontrata profesioniste në klubet e tyre dhe na pret më të vërtetë një gjeneratë e artë. Besoj se me këtë ekip do ta gëzojmë popullin tonë. Jemi shumë më të fortë se vitin e kaluar. Jo që dua t’i nënçmojë djemtë e gjeneratës 2005, por kjo gjeneratë është më e përpunuar, më specifike dhe gjysmën e djemve i kam pasur edhe vjet dhe ata janë pjekur dhe do të na shërbejnë shumë me eksperiencën e fituar nga viti i kaluar”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

Ndërkohë, optimizëm kanë shprehur edhe dy lojtarët si Eliot Bujupi e Jerin Hadërgjonaj.

“Grupi i lojtarëve është shumë i mirë, ashtu sikurse edhe atmosfera. Shpresoj që të kemi sukses të mërkurën. Presim ta fitojmë ndeshjen me Austrinë. Për mua është një eksperiencë shumë e madhe ajo me Kombëtaren A dhe shpresoj që e marrë me veti këtu te U19 dhe po përgatitem të jap maksimumin këtu. Besoj që Austria dhe Spanja kanë shumë respekt për ne, sepse kemi luajtur në Slloveni kohë më parë dhe i kemi pasur dy ndeshje shumë të mira. Shpresoj që do të vazhdojmë me atë nivel të lojës dhe të fitojmë”, deklaroi Bujupi.

Ndërsa, Hadërgjonaj nënvizoi se synimi është vetëm fitoret, pra duan nëntë pikë.

“Është dita e parë e stërvitjes dhe trajneri dhe stafi teknik na kanë motivuar qysh në stërvitjen e parë. Atmosfera tek lojtarët është shumë e mirë dhe presim rezultate pozitive. Jemi duke u përgatitur mjaft mirë. I kemi pasur edhe disa ndeshje miqësore që na kanë shërbyer dhe shpresojmë të japim maksimumin. Presim vetëm fitore, 9 pikë maksimumin dhe shpresoj se në fund t’i arrijmë objektivat tona”.

Orari i ndeshjeve të Kosovës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’:

Kosova – Austria, e mërkurë, 13 nëntor 2024 – ora 15:00

Spanja – Kosova, e shtunë, 16 nëntor 2024 – ora 15:00

Ishujt Faroe – Kosova, e martë, 19 nëntor 2024 – ora 12:00

Lajme të ngjashme