Kosova synon pozitën e dytë në grup sonte ndaj Irlandës Veriore
Kombëtarja e Kosovës pas dy muajve rikthehet sërish në aksion, duke qenë mysafir i Irlandës Veriore.
"Dardanët" kërkojnë vetëm rezultat pozitiv ndaj Irlandës Veriore, në mënyrë që të sigurojnë pozitën e dytë në grupin e dytë, ligën C të Ligës së Kombeve.
Kosova ka zhvilluar tre stërvitje së bashku, derisa ka mungesa të mëdha që nuk u zëvendësuan si dy mbrojtësit e krahut, Leart Paqarada dhe Mërgim Vojvoda, kapitenit Amir Rrahmani edhe prurjes së re Shkëlqim Vlladi.
Para ndeshjes, në konferencë për shtyp - përzgjedhësi Alain Giresse ka deklaruar se duan vetëm rezultat pozitiv dhe që të ruajnë pozitën e dytë në tabelë.
“Nuk do mend që ndeshja e nesërme është tejet e rëndësishme. Bëhet fjalë për një ndeshje zyrtare. Këto sfida kanë rëndësi edhe sa i përket pikëve që grumbullohen në renditjen e UEFA-s. Ne si ekip kombëtar i Kosovës kemi ardh këtu për t’u munduar që të marrim rezultat pozitiv nga kjo sfidë”.
“Është e qartë që Greqia e ka fituar grupin, por për ne tani është e rëndësishme të konfirmojmë pozitën e dytë në këtë fushatë kualifikuese. Pikërisht ky është objektivi qenjësor i ekipit tonë për momentin. Pra, të ruhet vendi i dytë në grup pas këtyre dy ndeshjeve të fundit që i kemi”, deklaroi ai.
Kurse, përzgjedhësi i Irlandës Veriore, Ian Baracloug shtoi se duan pikët e plota, derisa vlerësoi lartë Kosovën.
“Fitorja e parë e Ligës së Kombeve është e rëndësishme për të gjithë. E dimë se çfarë do të thotë Liga e Kombeve për ne gjatë këtyre viteve. Mendoj se kemi folur se sa është e rëndësishme të mos bijmë në Ligën D me lojtarët. Nuk është mirë të zhvillohesh për të ardhmen dhe të mos jesh në jesh në gjendje të fitosh ndeshje. Presime padurim për nesër mbrëma që ta shijojmë fitoren e parë”, shtoi shkurtimisht ai.
Forma e Kosovës dhe Irlandës Veriore
Kosova është takuar me Irlandën Veriore në qershor, ku arkëtojë pikët e plota në "Fadil Vokrri" duke fituar me rezultat 3:2, e pastaj u mposht në udhëtim te Greqia (2:0), skuadër kjo që e siguroi pozitën e parë në tabelë.
Ndërsa, Irlanda Veriore ende nuk di për fitore në katër xhiro që janë zhvilluar në Ligën e Kombeve, duke pësuar humbje nga Kosova dhe Greqia, si dhe duke marrë dy barazim kundër Qipros.
Kësisoj, statistikisht Kosova qëndron më mirë se Irlanda Veriore, mirëpo që kompanitë e bastoreve i shohin vendasit si fitues duke i dhënë kuotë më të mirë.
Për fund, kujtojmë se përballja do të zhvillohet me fillim nga ora 18:00 në stadiumin "Windsor Park".