Kosova mposhtet nga Danimarka, ka ende shpresë për kualifikim në Kampionatin Evropian
Kombëtarja e Kosovës ka bërë paraqitje të bukur, por që u mposht në udhëtim te Danimarka, në kuadër të ndeshjes së dytë parakualifikuese për Kampionatin Evropian “EuroBasket 2025”.
Kosovarët po e vazhdojnë rekordin e ‘zi’ si mysafir, pasi nuk dinë fitore që tre vite, duke pësuar humbje kundër danezëve me rezultat 82:75 (27:16, 17:27, 25:22, 12:10).
Danimarka e nisi shumë më mirë ndeshjen duke e mbyllur çerekun e parë me plot 11 pikë epërsi (27:16).
Sidoqoftë, “Dardanët” u këndellen plotësisht në çerekun e dytë falë një super paraqitje të Artis dhe Berishës duke e mbyllur me 10 pikë avantazh (17:27), njëkohësisht duke e ngushtuar diferencën në vetëm një pikë pas pjesës së parë 44:43.
Dy çerekët e fundit ishin tejet të barabartë, me danezët që kishin paksa më shumë fat për ta shijuar fitoren në fund.

Danimarka e mbylli me tre pikë epërsi edhe çerekun e tretë 25:22, ndërsa në 10-minutëshin e fundit ia dolën ta ruajnë këtë rezultat për ta shijuar fitoren e dytë në këtë fazë grupore, me epilogun përfundimtar që doli të jetë 82:75.
Kësisoj, situata në grupin H tani është kështu. Danimarka bëhet lider me katër pikë, dy më shumë se Kosova dhe Zvicra.
“Dardanët” ende kanë shpresë për kualifikim, mirëpo duhet që më patjetër ta mposhtin Zvicrën në udhëtim, si dhe t’i hakmerren danezëve në ndeshjen kthyese në Prizren.
Më i dalluari te Kosova ishte Dominic Artis me 23 pikë ndihmuar nga Dardan Berisha me 13 sosh, derisa te Danimarka treguan veten Gabriel Lundberg me 20 pikë dhe Jonas Zohore me 19 sosh.