Kosova favorite e lehtë ndaj Rumanisë, sipas kompanive të basteve - NACIONALE

Kosova favorite e lehtë ndaj Rumanisë, sipas kompanive të basteve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova është favorite e lehtë për ta mposhtur Rumaninë në një ndeshje vendimtare në kualifikime për Euro 2024, sipas kompanive të basteve.

Kosova e pret Rumaninë sonte në Stadiumin Fadil Vokrri në ndeshjen e rrethit të tretë në Grupit I kualifikues, e vetëdijshme se vetëm fitorja e mban në garë për kualifikim.

Dardanët janë ende në kërkim të fitores së parë në grup pas barazimeve zhgënjyese në dy ndeshjet e para me Izraelin dhe Andorrën.

Një ndër kompanitë më të mëdha të bastëvenies, Bet365, i ka vënë kuotën 2.30 fitores së mundshme të Kosovës në kohën e rregullt. Ndërsa fitores së mundshme të vizitorëve një kuotë diçka më të lartë, 3.00.

William Hill, ndërkohë, nuk e sheh Kosovën si favorite bindëse pasi i vë kuotën 2.60 për fitore eventuale, ndërsa Rumanisë 2.90.

Kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani e pranoi duke folur në konferencë për media para ndeshjes se çfarëdo rezultati pos fitores nënkupton dështim për verdhekaltrit.

“Kjo ndeshje vendos gjithçka dhe në rast që humbim këtë ndeshje, atëherë jemi 99 për qind jashtë garës”, tha Rrahmani, i cili e fitoi titullin në Serie A me Napolin këtë sezon.

Barazimi nga shumica e shtëpive të basteve cilësohet me kuotën 3.00.

Trajneri Alain Giresse nuk do të mundë të llogarisë në Elbasan Rashanin, i cili u largua nga grumbullimi shkaku i një lëndimi, ndërkohë që Edon Zhegrova pritet të mungojë po ashtu për të njëjtën arsye.

Kosova e nisi shumë keq fushatën e dytë kualifikuese për një turne evropian, pasi barazoi me rivalin e drejtpërdrejt për vendin e dytë, Izraelin, para se të pësonte barazim tronditës me Andorrën në Prishtinë.

Si pasojë, verdhekaltrit kanë dy pikë pas dy ndeshjeve, duke mbetur mbrapa liderëve Zvicrës dhe Rumanisë që kanë nga gjashtë pikë.

Ndeshja e sotme me Rumaninë në shtëpi është në veçanti e rëndësishme, pasi një disfatë e mundshme do ta linte ekipin dardan shumë mbrapa për të qenë në gjendje të luftojë për një vend që çon në Evropian.

Tri ditë më vonë, të hënën më 19 qershor, Kosova udhëton drejt Budapestit për t'u përballur me Bjellorusinë.

Lajme të ngjashme