Kosova e “shpartallon” Bullgarinë në futsall - NACIONALE

Kosova e “shpartallon” Bullgarinë në futsall

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore të thellë në shtëpi ndaj Bullgarisë, në kuadër për kualifikimet në Evropianin 2026.

“Dardanët” pas humbjes nga Gjeorgjia janë këndellur menjëherë, ku regjistruan triumf 6:2 ndaj Bullgarisë.

Kosova e nisi në mënyrë fantastike ku pas vetëm dy minutave e 13 sekondave, ishte kapiteni Ramadan Alaj që shënoi një gol të bukur për të zhbllokuar rezultatin.

Ndërsa, në minutën e 7-të Ylli Mazreku dyfishoi epërsinë pas një tjetër aksioni të shpejtë.

Kosova nuk u ndal më kaq, me Shefki Kamerin që u përkujdes për golin e tretë (11’).

Bullgaria pastaj tentoi të këndellet duke e ngushtuar epërsinë përmes golit të mbrojtësit Plamen Stoykov (13’), rezultat me të cilin edhe përfundoi kjo pjesë.

Sidoqoftë, një gjë e tillë s’u lejua nga Kosova që shënuan edhe tre gola tjera në pjesën e dytë për ta vulosur fitoren e thellë.

Drilon Maxharraj e riktheu epërsinë e tre golave më shumë në fillimin e pjesës së dytë (24’).

Bullgaria ia doli prapë të shënojë, këtë herë përmes Martin Stoykov, gol që ishte i fundit në ndeshje për bullgarët (32’).

Megjithatë, vetëm tre minuta më vonë Malush Qerimi e shënoi golin e pestë për të qetësuar tifozët dardanë (35’).

Kurse, fitoren krejt në fund e vulosi Fitim Krasniqi (38’).

Pas këtij triumfi të madh, Kosova arkëton tre pikë në pozitën e dytë në grupin 10, kurse në përballjen e radhës do të ketë punë me vendin e parë në grup, njëkohësisht favoritin Francën.

Lajme të ngjashme