Kosova e shënon sot 7-vjetorin e anëtarësimit në UEFA
Në këtë ditë shtatë vite më parë, Kosova më në fund u pranua me të drejta të plota në shtëpinë e futbollit evropian, UEFA.
Më 3 maj 2016, Kosova e fitoi anëtarësinë në UEFA me 28 vota pro, 24 kundër dhe dy abstenime në Kongresin e Budapestit, duke u bërë anëtarja e 55-të e shtëpisë së futbollit evropian.
Kosova e fitoi anëtarësimin falë punës së madhe dhe figurës së presidentit të saj të ndjerë, Fadil Vokrri, i cili ishte një futbollist i shquar botëror.
Vokrri, që vdiq dy vite pasi e përmbushi ëndrrën e kosovarëve, kishte thënë pas kongresit: “Një drejtësi e vonuar, por, duke marrë parasysh bllokadat ligjore që i janë paraqitur Kosovës ne arritëm të pranohemi, kjo është një arritur e jashtëzakonshme. Momentet brenda kuvendit të UEFA-as, ishin të vështira për shkak të kahjes që i dhanë kuvendit disa shtete. Megjithatë ne arritën të anëtarësohemi në UEFA”.
Serbia dhe Zvicra ishin kundër anëtarësimit të Kosovës dhe UEFA dhe lobuan për këtë.
Anëtarësimi në UEFA i hapi rrugë Kosovës të anëtarësohej edhe në FIFA – shtëpinë botërore të futbollit – vetëm 10 ditë më vonë.
Kombëtarja e Kosovës nisi menjëherë zhvillimin e ndeshjeve zyrtare dhe debutoi në kualifikime për Kupën e Botës 2018 në vitin 2016, duke nxjerrë një barazim historik 1:1 në debutim me Finlandën.
Por fushata e verdhekaltërve të porsaformuar ishte e dobët ashtu siç pritej, pasi përfunduan në vendin e fundit në Grupin I, me vetëm një pikë nga 10 ndeshje.
Megjithatë, e udhëhequr nga Bernard Challandes, Kosova ishte buzë kualifikimit historik në Kampionatin Evropian 2020 në debutim, por përfundoi mbrapa Anglisë dhe Republikës së Çekisë në grupe, si dhe e lëshoi mundësinë e artë më vonë në play-off të Ligës së Kombeve, ku u mund nga Maqedonia Veriore në gjysmëfinale, e cila mori pjesë në një evropian për herë të parë.
Kosova luan edhe në Ligën e Kombeve, një garë e dorës së tretë e UEFA-s, ku bëri emër në vitin 2018 duke u promovuar nga Liga D në Ligën C.
Dardanët dështuan të mahnitin edhe në kualifikimet e dyta për Botëror, Katar 2022, ndërsa e kanë nisur shumë keq fushatën e dytë kualifikuese për Euro 2024, duke barazuar me Izraelin dhe Andorrën në dy ndeshjet e para.