Kosova – Andorra: Statistikë, vlerat e kombëtareve dhe formacionet e mundshme
Kombëtarja e Kosovës sot zhvillon ndeshjen e dytë kualifikuese për Euro 2024, ku përball do ta ketë Andorrën, që cilësohet si kundërshtari më i dobët në grupin I.
Pas një barazimi në udhëtim te Izraeli, ‘Dardanët’ do të kërkojnë me çdo kusht fitoren në Fadil Vokrri, me qëllimin kryesor, arritjen e ëndrrës me kualifikimin në Kampionatin Evropian.
Vlerat e dy kombëtareve, Kosova bindshëm më e shtrenjtë
Me të dhënat që janë publike në Transfermarkt, Kombëtarja e Kosovës është bindshëm më e vlefshme se e Andorrës, madje nuk krahasohen as për së afërmi.
‘Dardanët’ me skuadrën e përbërë nga 25 futbollistë kanë një vlerë prej 95,25 milionë euro, për dallim nga Andorra që kushton vetëm 2,47 milionë euro.
Kapiteni Amir Rrahmani është futbollisti më i shtrenjtë te Kosova (25 milionë euro), ndjekur nga Vedat Muriqi (15 milionë euro) dhe Milot Rashica (7.5 milionë euro).
Ndërsa, te Andorra më i shtrenjti është portieri Iker Alvarez, i cili paraqitet për skuadrën spanjolle, Villarreal B me vlerë prej 500 mijë euro, teksa të tjerët janë të vlerësuar shumë pak, mesatarisht 50 mijë euro.
Rezultatet në pesë ndeshjet e fundit
Në pesë ndeshjet e fundit, Kosova qëndron pak më mirë se kundërshtari, me të dyja që kanë fituar vetëm nga një ndeshje.
Andorra në pesë ndeshjet e fundit ka pësuar tri humbje, prej të cilave dy në miqësore dhe para tre ditësh ndaj Rumanisë në ndeshjet hapëse të tyre në ciklin kualifikues, teksa ka barazuar ndaj Letonisë dhe ka fituar ndaj Lihtenshtajnit.
Në anën tjetër, Kosova jo dhe shumë më mirë, pasi ka tri barazime, një fitore dhe një humbje. ‘Dardanët’ kanë tri barazime radhazi me të fundit ndaj Izraelit, ndërsa kanë fituar ndaj Qipros e humbën ndaj Irlandës Veriore në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kjo do të jetë ndeshja e parë mes këtyre dy kombëtareve, pasi më parë nuk janë përballur as në ndonjë miqësore e as në cikël kualifikues.
Formacionet e mundshme
Alain Giresse preferon stil më ndryshe të lojës nga homologu i tij, Koldo.
Nën urdhrat e trajnerit francez, Kombëtarja e Kosovës vazhdimisht është paraqitur me formacionin 4-3-3, ndërsa Andorra preferon sistemin 4-4-2.
Kosova: Muric; Vojvoda, Rrahmani, Kryeziu, Paqarada; Muslija, Fazliji, Celina; Zhegrova, Rashica dhe Muriqi;
Andorra: Alvarez; Rubio, Llovera, Alavedra, Garcia; Martinez, Vales, Pujol, Cervos; Vieira dhe Rosas.
Kosova edhe sa i përket renditjes së FIFA-s qëndron më mirë, pasi gjendet në pozitën e 107-të, ndërsa Andorra gjendet në të 151-tën.
Kujtojmë se përballja mes Kosovës dhe Andorrës zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë me fillim nga ora 20:45.
