Kompany: Në një pikë të karrierës Hazard ishte vetëm pas Ronaldos dhe Messit
Trajneri i Burnley Vincente Kompany thotë se sulmuesi Eden Hazard në një pikë të karrierës ishte vetëm prapa Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.
Ish ylli i Chelseas njoftoi pensionimin në moshën 32-vjeçare pasi “s’po e shijonte më lojën dhe stërvitjet”.
Kompany në konferencë për shtyp tha disa fjalë për belgun, duke treguar se çfarë karriere fantastike kishte.
“Për mua, në një pikë të karrierës dhe ai e di, ishte lojtari i vetëm prapa Ronaldos dhe Messit”.
“Ai kishte një karrierë të shkëlqyer, gjithashtu edhe për Belgjikën”.
“Nuk prisnim asnjëherë të kishim lojtarë të këtyre niveleve, por kishim një nga magjikët e kësaj loje”.
Hazard befasoi të gjithë me vendimin për pensionim pasi kishte oferta nga disa klube arabe, si dhe ato amerikane.
Sidoqoftë, lojtari deklaroi se kishte vendosur që një kohë të gjatë që në momentin kur nuk po e shijonte lojën, atëherë të largohet dhe të mos luajë për para.
“Po vija nga një periudhë e komplikuar me Real Madridin. Gjithmonë e kam thënë se do të ndaloja sapo të mos kënaqesha më në fushë”.
“Nuk doja të shkoja diku tjetër të luaja për para. Ishte zgjedhja më e mirë. Nuk po i shijoja stërvitjet dhe nuk po luaja. Vendimi ishte i thjeshtë”, deklaroi së fundmi belgu.