Komisioni i Garave vendos përfundimisht për ndeshjen Gjilani - Ballkani
Komisioni i Garave ka dhënë fjalën e fundit për ndeshjen e ndërprerë në javën e kaluar ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit.
Zhvillohej minuta e 90+4, kur portieri Enea Kolici shënoi me kokë për të barazuar rezultatin dhe pastaj eskaloi situata me tifozët që hynë në fushë dhe goditën portierin Stivi Frashëri, që u dërgua me urgjencë në spital.
Komisioni i Garave tashmë ka bërë publike vendimin, ku i është dhënë fitore Ballkanit me rezultat zyrtar 3:0.
Njoftimi i plotë i Komisionit të Garave pa ndërhyrje:
"Gjatë administrimit të gjitha shkresave në lëndë dhe xhirimeve televizive, Komisioni i Garave konstatoj se sipas nenit 71, paragrafi 1 të Rregullores së Garave, janë përmbushur të gjitha kushtet për administrim dhe vendimmarrje sipas detyrës zyrtare. Në bazë të nenit 23 dhe 24 të Propozicioneve të Garave, organizimin e ndeshjes e bën klubi nikoqir përmes zyrtarëve të vet, përfaqësuesit zyrtar dhe përfaqësuesit për siguri dhe të njëjtit si përfaqësues të SC Gjilani kanë dështuar në organizimin e kësaj ndeshje dhe si pasojë e kësaj kishte hyrje të shikuesve në fushë, dy nga të cilët sulmuan fizikisht-shqelmuan lojtarin (portierin) e FC Ballkani me nr.77 Stivi Frashëri, me ç`rast vije deri te ndërprerja e ndeshjes në minutën e 90+4, te rezultati 1 : 1.
Bazuar në nenin 59, paragrafi 1 i propozicioneve të garave: Nëse ndeshja ndërpritet për shkak të sulmit fizik ndaj gjyqtarëve apo lojtarëve, e njëjta do të regjistriohet me rezultat zyrtar 3 : 0 në favor të ekipit të dëmtuar, pranadaj duke u bazuar në këtë nen ekipi i dëmtuar në këtë ndeshje është FC Ballkani, kështu që ndeshjen e javës së 27-të në mes të SC Gjilani – FC Ballkani, Komisioni i Garave e regjistron me rezultat zyrtar 3 : 0 në favor të FC Ballkani, kurse ndaj ekipit dhe shkaktarit të incidentit do të inicohet procedura disiplinore”, shkruhet në komunikatë.
Frashëri ishte cak i sulmeve nga dy banditë pas atij goli të pësuar, ku si pasojë mbeti pa ndenja përreth 20 minuta, derisa u dërgua në spital, ku pastaj nisi të këndellet.
Policia e Kosovës lidhur me këtë rast atë ditë kur ndodhi incidenti, arrestoi pesë të dyshuar, por ende nuk është mbyllur çështja.
“Rezultat i hetimeve intensive, deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar, dy nga të dyshimtit pas intervistimit në bazë të procedurav ligjore ndalen për 48 orë për Veprën penale “Lëndim trupor”, ndërsa tre të tjerë “prishje e rendit dhe qetësisë publike”, rasti procedohet në procedurë të rregullt. Hetimet dhe veprimet policore lidhur me rastin janë duke vazhduar”, ishte deklarata e zëdhënësit të policisë, Ismet Hashani ditën e diele.
Me këtë vendim të Komisionit Disiplinor, Ballkani ‘blindon’ kreun me 56 pikë, shtatë më shumë se Drita që zë pozitën e dytë, derisa Gjilani renditët e treta me 57 sosh.