Kombëtarja e Shqipërisë shënon fitore në udhëtim te Gjeorgjia, rriten shanset për vendin e parë - NACIONALE

Kombëtarja e Shqipërisë shënon fitore në udhëtim te Gjeorgjia, rriten shanset për vendin e parë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Shqipërisë ka shënuar fitore minimale 1:0 ndaj Gjeorgjisë në udhëtim.

Përballja që ishte në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Kombeve të grupit B1, u zhvillua në Tbilisi.

Takimi i parë mes këtyre dy kombëtareve në Air Albania para një muaji përfundoi me fitoren mysafirëve, teksa sot kuqezinjtë morën hak për atë humbje.

Skuadra e Sylvinhos zhvilloi ndeshje të sigurt, duke qenë të qartë në atë që kërkonin, pra tri pikët.

Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë, duke krijuar disa raste në fillimet e ndeshjes, teksa më pas vendasit e morën ndeshjen në kontroll, me pjesën e parë që përfundoi pa gola.

Me të filluar pjesa e dytë e takimit, saktësisht në minutën e 48-të, pas një aksioni premtues, Shqipëria doli në epërsi.

Ishte një asistim nga Indrit Tuci, me Kristjan Asllanin që shënoi gol të jashtëzakonshëm për 1:0.

Kombëtarja e Shqipërisë vazhdoi të krijonte raste të rrezikshme, ku u afruan te goli me rastet e Nedim Bajramit e Mirlind Dakut, por që nuk arritën të shënonin golin e sigurisë.

Në anën tjetër, Gjeorgjia, ndonëse kontrolloi topin, nuk është se krijoi diçka të rrezikshme për portën e Thomas Strakoshës.

Deri në vërshëllimen e fundit nuk pati ndryshim në rezultat dhe Shqipëria i gëzohet tre pikëve të fituara në Tbilisi, që japin shpresë për vendin e parë në grupin B1.

Tani, Kuqezinjtë kanë gjashtë pikë në katër ndeshje, aq pikë sa kanë edhe Gjeorgjia e Çekia, me këta të fundit që kanë një ndeshje më pak dhe luajnë sonte ndaj Ukrainës me fillim nga ora 20:45.

Lajme të ngjashme