Kombëtarja e Shqipërisë e zhvillon stërvitjen e radhës
Kombëtarja e Shqipërisë ka zhvilluar stërvitjen e radhës sot pasdite në 'Shtëpinë e Futbollit', në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve.
Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Çekinë më 16 nëntor dhe pas tre ditësh me Ukraninën, me të dy ndeshjet që do të zhvillohen në Air Albania.
FShF ka njoftuar se në stërvitjen sot ishin të pranishëm i gjithë grupi, ku edhe Jon Mersinaj e Adrian Bajrami u bashkuan, pasi ishin ata që mbërritën të fundit në grumbullim.
Stërvitja sot filloi në palestër, pastaj për të dalë në fushë, duke vazhduar me përgatitje atletike, teksa pati edhe punë taktike.
Përgatitjet e Kombëtares së Shqipërisë për ndeshjen e parë ndaj Çekisë, do të përfundojnë këtë të premte.