Kombëtarja e Kosovës zhvillon stërvitje para ndeshjes me Qipron
Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur një seancë të lehtë stërvitore sot paradite, pak orë para ndeshjes ndaj Qipros.
Dardanët do të përballen me qipriotët në stadiumin Fadil Vokrri, me fillim nga ora 20:45, në kuadër të Ligës së Kombeve, të grupit C2.
Stërvitja e lehtë ka qenë pa ngarkesa fizike, me trajnerin Franco Foda që ka pranuar në detajet e fundit se si do të rreshtohet skuadra në aspektin taktik sot, duke i kushtuar rëndësi ndërprerjeve, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
Siç njoftohet nga FFK, atmosfera brenda e grupit është shumë e mirë, me futbollistët që janë të motivuar dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin në ndeshjen e sotme, me qellimin e vetëm t'i sjellin tri pikë të radhës me paraqitje sa më të mirë për tifozët.
Kujtojmë se stadiumi Fadil Vokrri pritet të jetë i mbushur, pasi janë shitur të gjitha biletat e ndeshjes.
Elvis Rexhbeçaj do të jetë mungesa e madhe për kombëtaren, ndërsa pritet të kthehet Aro Muric në formacion.
Në dyshim është paraqitja e Valon Berishës për shkak të një dëmtimi, pasi nuk ka stërvitur fare dje me skuadrën.