Kombëtarja e Kosovës vazhdon me stërvitjen e dytë, mungojnë Rrahmani e Vojvoda
Kombëtarja e Kosovës sot ka mbajtur stërvitjen e dytë, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve.
Dardanët do të përballen me Rumaninë dhe Lituaninë në ditët në vazhdim.
Në seancën e sotme stërvitore mungoi kapiteni, Amir Rrahmani, i cili ka bërë seancë rigjenerimi në hotel, ndërsa Mërgim Vojvoda për shkak të një shqetësimi u vendos të pushohej.
Trajneri Franco Foda u përqendrua në aspketin taktik, duke u përgatitur për përballjen me Rumaninë, ku i kushtoi vëmendje disa detajeve që mund të bëjnë diferencën në fushë, thuhet në komunikatën e FFK-së.
Lojtarët pas stërvitjes u shprehen se janë të motivuar për të dhënë maksimumin, duke shtuar se atmosfera në grup është shumë e mirë dhe janë të fokusuar për të arritur rezultate pozitive.
Stërvitja e radhës e Kombëtares së Kosovës është nesër me fillim nga ora 11:00 në Kampin Nacional në Hajvali.
Kujtojmë se Kosova fillimisht përballet me Rumaninë në udhëtim më 16 nëntor, ndërsa pas tre ditësh e pret në Fadil Vokrri Lituaninë.