Kombëtarja e Kosovës niset për Yerevan, të premten përballja ndaj Armenisë
Kombëtarja e Kosovës në futboll, ka përfunduar të gjitha stërvitjet në vendin tonë dhe pak çaste më parë janë nisur për në Yerevan, ku Dardanët do të përballen të premten me Armeninë, në miqësoren e parë për vitin 2024.
Dardanët do të zhvillojnë dy miqësore këtë muaj, fillimisht me Armeninë më 22 mars, ndërsa më 26 mars takohen me Hungarinë, që do të jenë dy ndeshjet e para në krye me trajnerin e ri Franco Foda.
Pamje nga nisja për në Yerevan të Armenisë
Foda grumbulloi lojtarët më 18 mars në kampin nacional në Hajvali dhe kanë zhvilluar tre stërvitje deri më sot, ku dita e parë ishte për rigjenerim për futbollistët që kanë zhvilluar ndeshje në fundjavë dhe për ata që kanë bërë rrugë të largët, dita e dytë ishte në aspektin taktik, ndërsa sot siç u tha u testuan disa variante në mbrojtje dhe stërvitje taktike.
Shumë nga futbollistët u prononcuan pas çdo stërvitje, ku thanë se do të luftojnë për rezultate pozitive, por që më e rëndësishmja tani për tani për lojtarët është njohja me filozofinë e trajnerit të ri si dhe përgatitja sa më e mirë për ndeshjet e shtatorit, ku Kosova do të luajë në Ligë të Kombeve.
Në këtë grumbullim për herë të parë janë Ilir Avdyli e fenomeni Drilon Hazrollaj që iu bashkuan dyshes nga Superliga Ilir Krasniqi e Lumbardh Dellova, ndërsa Ermal Krasniqi përkundër formës së mirë nuk u ftua, vetëm bashkëlojtari i tij te Rapidi i Bukureshtit, Albion Rrahmani.