Kombëtarja e Kosovës mbajti stërvitje të lehtë para përballjes me Rumaninë
Kombëtarja e Kosovës sot do ta fillojë rrugëtimin në sezonin e ri të Ligës së Kombeve, pasi përballet me Rumaninë në stadiumin Fadil Vokrri.
Dardanët pas orës 13:00 e përfunduan një stërvitje të lehtë në Kampin Nacional në Hajvali, si pjesë e përgatitjeve finale për ndeshjen e sotme.
Këtë praktikë, siç mësohet, Franco Foda e ka përdorur gjithnjë. Në stërvitje, futbollistët patën ushtrime të lehta fizike dhe disa lojëra të shkurtëra me top, ku u fokusuan në ruajtjen e freskisë fizike dhe koncentrimit të nevojshëm për përballjen e mbrëmjes.
Siç thuhet te FFK, atmosfera ishte shumë pozitive, me të gjithë futbollistët duke treguar përkushtim të lartë.


Përballja e sotme, është mes favoritëve të grupit. Kosova dhe Rumania cilësohen si më të mirat, teksa pjesë e grupit janë edhe Qipro e Lituania.
Kombëtarja e Kosovës po vlerësohet si më favorite nga kompanitë e basteve, ndonëse Rumania ishte pjesë e Kampionatit Evropian, madje duke i kaluar grupet.
Kujtojmë se për Kosovën, kjo nuk është ndeshja e vetme e shtatorit. Dardanët do të përballen pas tre ditësh me Qipron në Larnaca, por fillimisht synimi kryesor janë pikët e plota në shtëpi sot.