Klubi i Premierligës e shkarkon trajnerin
Crystal Palace e ka shkarkuar trajnerin Patrick Vieira pas vetëm 18 muajve në krye të skuadrës.
Vieira largohet pas një ecurie prej 12 ndeshjeve pa fitore në të gjitha garat. Hera e fundit kur Palace e fitoi një ndeshje ishte kundër Bournemouth Natën e Vitit të Ri 2022.
Gjatë kësaj kohe, Palace ra nga FA Cup pas humbjes kundër ekipit të fundit në Premierligë, Southampton, ndërsa në ligë ka rënë shumë poshtë në tabelë dhe tani ndodhet vetëm tri pikë larg zonës së rënies në kategorinë e dytë.
Crystal Palace Football Club can confirm that Patrick Vieira has left his post as First Team Manager.#CPFC
— Crystal Palace F.C. (@CPFC) March 17, 2023
Ndeshja e fundit e Vieiras në krye te Palace ishte disfata 1:0 kundër rivalit Brighton, dhe ishte ndeshja e katërt radhazi në të cilën klubi londinez dështon të shënojë gol.
Palace ka dështuar të gjuajë brenda portës në tri ndeshje radhazi, kundër Aston Villa, Manchester City dhe Liverpool – duke u bërë ekipi i parë i Premierligës që dështon kaq keq qëkur Opta nisi t’i mbledhë të dhënat në vitin 2003.
“Me keqardhje shumë të madhe e kemi marrë këtë vendim të vështirë. Përfundimisht, rezultatet në muajt e fundit na kanë vënë neve në një pozitë të pafavorshme në ligë dhe ne ndjemë se ndryshimi është i nevojshëm për të na dhënë neve një mundësi për ta ruajtur qëndrimin në Premierligë”, tha kryetari i Palace Steve Parish.