Klubet e Premierligës e thyejnë rekordin e shpenzimeve të verës ende pa u mbyllur afati kalimtar - NACIONALE

Klubet e Premierligës e thyejnë rekordin e shpenzimeve të verës ende pa u mbyllur afati kalimtar

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Klubet e Premierligës e kanë thyer rekordin e tyre të shpenzimeve në afatin kalimtar të verës, sipas të dhënave të kompanisë financiare Deloitte.

Deloitte ka llogaritur se klubet i kanë shpenzuar 1.5 miliardë funte deri tani këtë verë, duke e kaluar rekordin e kaluar prej 1.4 miliardë funte nga vera e vitit 2017.

Ka mbetur edhe një javë deri në mbyllje të afatit kalimtar të verës më 1 shtator në orën 24:00.

Shpenzimet në të njëjtën kohë në vitin 2021 ishin 895 milionë funte dhe arritën shifrën e 1.1 miliard funteve.

“Nivelet rekorde të shpenzimeve që i kemi parë në këtë afat kalimtar veror janë shenjë se modelet biznesore të klubeve të Premierligës po rikthehen pas pandemisë Covi-19”, ka thënë Chris Wood nga Deloitte.

“Derisa kjo është inkurajuese, rëndësia që klubet të kenë politika përgjegjëse dhe të qëndrueshme të shpenzimeve nuk mund të ekzagjerohet”.

Ndër blerjet më të shtrenjta i ka bërë Liverpooli me afrimin e Darwin Nunez nga Benfica për një shumë fillestare prej 64 milionë funteve në një marrëveshje që mund të arrijë deri në 85 milionë funte.

Manchester Unitedi e ka blerë mesfushorin brazilian Casemiro nga Real Madridi për një shumë fillestare prej 60 milionë eurove në një marrëveshje që mund të arrijë deri në 70 milionë funte.

Tottenham Hotspur e bleu sulmuesin brazilian Richarlison nga Evertoni për 60 milionë funte dhe Manchester City e siguroi blerjen e Erling Haalandit nga Borussia Dortmundi për 51.2 milionë funte.

Sulmuesi anglez Raheem Sterling iu bashkua Chelseat nga Manchester City për 50 milionë funte. Chelsea e bleu edhe mbrojtësin spanjoll Marc Cucurella nga Brightoni për më shumë se 60 milionë funte.

Katërmbëdhjetë lojtarë janë blerë deri tani nga klubet e Premierligës për çmime më të larta se 30 milionë funte, krahasuar me tetë lojtarë nga afati kalimtar i verës së vitit 2021.

Lajme të ngjashme