Klubet e Kosovës ia shohin ‘hairin’ Ballkanit, fituesi i Kupës do të luajë në kualifikimet e Ligës së Evropës - NACIONALE

Klubet e Kosovës ia shohin ‘hairin’ Ballkanit, fituesi i Kupës do të luajë në kualifikimet e Ligës së Evropës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Suksesi i Ballkanit në dy vitet e fundit në garat evropiane, ka bërë që klubet kosovare t’ia shohin ‘hairin’, pasi duke nisur nga sezoni i ardhshëm 2024/25, fituesi i Kupës së Kosovës do të luajë në kualifikimet për Ligë të Evropës.

Më parë kur nuk ekzistonte Liga e Konferencës, Superliga e Kosovës prezantohej me një skuadër në kualifikime të garës së dytë më të rëndësishme evropiane për klube, por kjo gjë ndryshoi me ardhjen e Ligës së Konferencës, ku Superliga e Kosovës, nuk kishte më një vend të garantuar në kualifikime për në Ligë të Evropës.

Kampioni i Kosovës, Ballkani, doli për herë të parë vitin e kaluar në kualifikime, pasi u shpall kampion, duke treguar sukses historik, që pasoi me kualifikimin në grupet e Ligës së Konferencës, arritja më e madhe për një klub kosovar.

‘Xhebrailat’ janë afër ta bëjnë të njëjtën rrugë sërish, pasi gjenden në play-off të kualifikimeve dhe vetëm 180 minuta larg kualifikimit sërish në grupet e garës së tretë më të rëndësishme evropiane.

Këto arritje kanë bërë që koeficienti i Superligës së Kosovës të rritet dhe me këtë një nga skuadrat ta fitojë edhe një vend në kualifikime të Ligës së Evropës.

Pra, duke nisur nga sezoni 2024/25, Kampioni i Kosovës do të luajë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, fituesi i Kupës së Kosovës do të paraqitet në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, nënkampioni i Superligës do të paraqitet në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe vendi i tretë në raundin e parë të Ligës së Konferencës.

Lajme të ngjashme