Klubet arabe ofrojnë 40 milionë euro për Thomas Partey
Klubet e Arabisë Saudite janë të gatshme të ofrojnë 40 milionë euro për të nënshkruar me mesfushorin Thomas Partey nga Arsenali këtë verë.
Al-Nassr, Al-Ahli dhe Al-Khaleej tashmë kanë shprehur interesim për lojtarin e Ganës, meqenëse Arsenali është i hapur për ta shitur në verë.
Arsenal i ka dhënë leje Partey për të konsideruar kalimin në Arabinë Saudite, me Mikel Artetan që dëshiron ta rindërtojë mesfushën.
Partey ka pasur rol kyç te “Topçinjtë” edicionin e kaluar, mirëpo Arteta se bashku me drejtorin sportiv Edu duan të bëjnë ndryshime.
30-vjeçari ka kontratë deri më 2025, derisa ka disa oferta edhe nga klubet italiane.
Nëse vendos t’i bashkohet yjeve si Cristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe N’Golo Kante, atëherë Arsenal do të fitonte 40 milionë euro në disa rata.
Partey iu bashkua Arsenalit në një marrëveshje 45 milionë funtesh nga Atletico Madrid në vitin 2020, por lëndimet e shpeshta kanë ndikuar të mos e gjejë formën më të mirë të mundshme.
Partey thuhet se është i hapur për një sfidë të re jashtë Arsenalit, mirëpo deri më tani ende s’ka vendosur nëse do të largohet nga Evropa.