Klopp: Luajmë ndaj Arsenalit me gjithçka që kemi, duhet të fitojmë ndeshje pas ndeshje
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp thotë se duhet të fitohen të gjitha ndeshjet e mbetura duke nisur nga Arsenali.
“Reds” mund të mbeten jashtë garave evropiane për herë të parë që nga viti 2016, si pasojë e rezultateve negative kohëve të fundit – ku renditën në pozitën e tetë në tabelë.
Në konferencë për shtyp para ndeshjes ndaj Arsenalit, Klopp deklaroi se do të luajnë me të gjithë forcat për rezultat pozitiv kundër “Topçinjve”.
“Nuk është për atë që unë konsideroj, ose çfarë marrim. Nuk e di ku do të përfundojmë. E di që duhet ta tejkalojmë këtë situatë”.
“Pastaj do të jetë një fillim i ri sepse është sezoni i ri. Është një sfidë masive në këtë botë moderne. Nuk ishte lehtë 20 vite më parë dhe tani është thuajse e pamundur”.
“Imagjinoni nëse humbim 10 ndeshjet e radhës dhe ende them “Sezonin tjetër, do ta ndryshojmë”, do të jetë e vështirë që të besohet”.
“Te Liverpooli teorikisht mund të ndodhë. Por, para kësaj do të luajmë ndaj Arsenalit me gjithçka që kemi”.
Tekniku gjerman pastaj shtoi se nuk iu intereson fare vendi në top gjashtë pasi janë të fokusuar vetëm ndeshje pas ndeshje.
“Pavarësisht a marrim rezultat apo jo do të shohim por mendoj se klubi duhet ta ndryshojë situatën në mënyrë klasike. Dhe nuk më intereson çfarë kemi bërë në të kaluarën”.
“Nuk mund të interesohemi për top gjashtë. Duhet të fitojmë ndeshje pas ndeshje, të gjejmë paraqitjen më të mirë në fushë sërish. Është e fshehur diku, duhet ta gjejmë”, përfundoi ai.