“Kjo nuk është aspak e vërtetë” – Xhaka tregon se pse vendosi të largohej nga Arsenali
Ish-kapiteni i Arsenalit, Granit Xhaka, ka treguar arsyen e vërtetë se pse ka vendosur të largohet nga topçinjtë, duke mohuar disa spekulime se u largua për shkak të gruas së tij.
Ish-mesfushori i Arsenalit, Xhaka, i është përgjigjur pretendimeve të rreme rreth largimit të tij nga klubi. Ai hodhi poshtë thashethemet dhe hodhi dritë mbi arsyet e vërteta pas vendimit të tij për t'u larguar nga Emirates, duke u ofruar fansave një kuptim më të qartë rreth transferimit të tij në Bundesligë.

“Kishte spekulime gjithandej se gruaja ime nuk ishte më e lumtur në Angli. Kjo nuk është aspak e vërtetë”, tha Xhaka për Keystone-SDA.

“Fakti është se si person jam gjithmonë i interesuar për sfida të reja. Pas shtatë vitesh, ka ardhur koha për diçka krejtësisht të re. Liga nuk është e re, por klubi është. Gjatë bisedimeve me Simon Rolfes [drejtori sportiv] dhe Xabi Alonso, ndjeva se projekti afatgjatë në Leverkusen ishte i vlefshëm dhe se ishte 100% në përputhje me atë se çka dua unë”, shtoi ai.
30-vjeçari ka përfunduar një transferim te Bayer Leverkusen për një tarifë prej rreth 25 milionë euro. Ish-kapiteni i londinezëve largohet nga Arsenali pas shtatë vitesh, pasi ka bërë më shumë se 200 paraqitje në Premierligë për topçinjtë, duke u rikthyer sërish në Bundesligë, por tani për dallim nga hera e parë që ka luajtur për Moenchengladbach, do të luajë te Leverkuseni.
Mesfushori zviceran do të bashkojë forcat me Xabi Alonso në Bayer Leverkusen për sezonin 2023-24.

