Kevin De Bruyne lë pas lëndimin, i gatshëm për Real Madridin
Mesfushori Kevin De Bruyne i ka dhënë lajme të mira Manchester Cityt, duke u kthyer në stërvitje pak ditë para ndeshjes ndaj Leeds Unitedit në Premierligë dhe përballjes së madhe në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.
Belgu shkëlqeu në fitoren vendimtare të Cityt ndaj Arsenal me rezultat 4:1, ku po në atë ndeshje ndjeu një dhimbje në këmbë dhe nuk ishte pjesë e ekipit në dy përballje, ndaj Fulhamit dhe West Hamit, duke pasur spekulime se mund të mungojë edhe në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë 31-vjeçari tani është rikthyer plotësisht nga lëndimi dhe është gati për t’u përballur me Leeds Unitedin të shtunën dhe ndaj Real Madridit më datë 9 maj.
Kur u pyet për gjendjen e De Bruynes, trajneri Pep Guardiola tha : “Ai u stërvit mjaftë mirë dje. Sot do të stërvitet gjithashtu dhe do të vendosim. Duke munguar një javë ose 10 ditë nuk është problem, është e njëjta gjë që ndodhi me Nathan Ake, nëse është në gjendje të luajë, do të luajë”.
Guardiola ka lejuar lojtarët e tij të pushojnë dhe shtoi se Rodri mund të jetë i pari që do të marrë një pushim. Kur u pyet nëse spanjolli do të luajë ndaj Real Madridit ai u përgjigj: “Do të shohim si shkon seanca stërvitore, flasim me lojtarët dhe vendosim. Ederson është gati të luajë si kundër West Hamit dhe do të vendosim nesër”.
Man City këtë edicion po synon tripletën pasi është lider në Premierligë, ka mbërritur në finalen e FA Cupit (ndaj Man Unitedit) dhe në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve (kundër Real Madridit)./Orselina Lazraj/