Kevin De Bruyne: Haaland nuk është i lumtur
Mesfushori i Manchester Cityt, Kevin De Bruyne thotë se bashkëlojtari Erling Haaland nuk është i lumtur edhe pse eliminuan Bayern Munichun për të kaluar në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.
Sulmuesi norvegjez dështoi nga pika e bardhë edhe pse e rrallë në karrierën e tij, por shpejt e korrigjoi gabimin e tij duke përfunduar një kundërsulm të shpejtë në minutën e 57-të.
Sidoqoftë, De Bruyne mendon se Haaland është i pakënaqur me paraqitjen e tij pas humbjes së penalltisë.
“Duke e njohur atë ai nuk është i lumtur më humbjen e penalltisë por ka marrë fund tashmë. Kur e ke mundësinë tjetër duhet ta bësh përsëri. Ai pati mundësinë, e përfundoi me klas dhe na ndihmoi të fitojmë ndeshjen”, u tha ai gazetarëve pas ndeshjes.
City ka kaluar në katërshen më të mirë dhe do të përballet me Real Madridin, një mundësi që të hakmerret ndaj ekipit spanjoll, i cili i eliminoi në të njëjtën fazë vitin e kaluar me një ndeshje dramatike.
Megjithatë, De Bruyne insistoi se nuk është i motivuar nga hakmarrja sepse ka bërë paqe me humbjen e vitit të kaluar.
“Nuk jam një person i tillë. Çfarë ka ndodhur vitin e kaluar ka ndodhur. Në bëmë lojë të mirë në të dyja ndeshjet dhe në minutat e fundit ndryshoi rrjedha e barazimit. Duhet ta marrësh pa u ankuar dhe të vazhdosh. Ka ndodhur dhe nuk do të thotë që nuk luajtëm mirë në shumicën e dy ndeshjeve. Futbolli ka të bëjë me detaje dhe ndodh dhe ju ecni përpara”, shtoi belgu.
Haaland ka qenë në formë briliante këtë sezon duke shënuar 48 gola në 40 ndeshje në të gjitha garat. Sulmuesi do të vazhdojë të gjejë golin në ndeshjen e radhës që do të dërgojë Cityn në finale e FA Cup nëse siguron fitoren kundër Sheffield United të shtunën./Orselina Lazraj/
