Kërcënon Llapi: Nuk dalim në fushë nëse delegohet gjyqtari Visar Kastrati - NACIONALE

Kërcënon Llapi: Nuk dalim në fushë nëse delegohet gjyqtari Visar Kastrati

2 javë më parë

nga NACIONALE

Një reagim i ashpër ka ardhur nga skuadra e Llapit në rrjetet sociale, ku ata kanë kërcënuar me mos-dalje në fushë, nëse sërish delegohet gjyqtari Visar Kastrati në ndeshjet e tyre.

Skuadra llapjane ka ankesa për dy ndeshjet e fundit që Kastrati ka gjykuar kur ata janë përballur.

Përveç njoftimit ku kanë thënë se nuk dalin në fushë nëse gjyqtari i njëjtë delegohet, ata kanë publikuar pamje, nga një moment i ndeshjes së fundit ndaj Dukagjinit, ku barazuan 1:1.

Reagimi i plotë i KF Llapit:

REAGIM

Duam të reagojmë sërish për mediat, opinionin e futbollit dhe komunitetin e futbollit kosovar, pas analizave në detaje të të gjitha ndeshjeve, sidomos dy ndeshjeve të fundit të gjykuara nga Visar Kastrati.

Ky turp i krijuar ndaj nesh ka emër Visar Kastrati, së bashku me ata që e deleguan në ndeshjet e klubit tonë.

Rastin e penalltisë së paakorduar ndaj nesh e kemi analizuar dhe konsultuar me shumë njohës të futbollit dhe ndihemi të dëmtuar nga i njëjti gjyqtar që FFK e shpalli më të mirin, kurse në VAR duke “fjetur” ishte gjyqtari Burim Jahmurataj dhe asistenti i tij Fatlum Jashari.

Ne nuk dyshojmë në aftësitë e tij të gjyqtarit, por gjykimi i tij ishte skandaloz dhe më i keq për futbollin kosovar.
Visar Kastrati, i cili punon si Koordinator i referimit dhe merr pagë mujore nga FFK, vazhdon me avazin e vjetër duke dëmtuar një klub të organizuar shkëlqyeshëm si klubi ynë.

Kjo nuk do shumë koment por që po ndikon drejtpërdrejt dhe qëllimisht tek rezultatet tona.

E paralajmërojmë FFK-në se nuk na intereson se si do delegohen gjyqtarët në xhiron e radhës, por në momentin që Visar Kastarati delegohet në ndeshjet tona të ardhshme në këtë kampionat, ne nuk do të dalim në fushë fare, pastaj përgjegjësinë për mosdaljen tonë në fushë le t'a mbaj FFK, Komisioni i Garave dhe njerëzit që janë kompetent për delegimin e gjyqtarëve.

P.s Edhe një herë, po publikojmë pamjet dhe interpretimin e njerëzve që kanë karrierë të pasur në futboll, pa mbajtur anë, por duke folur dhe vlerësuar rastin me realitetin e situatës në një ndeshje futbolli.

Llapi është në garë të ngushtë për titullin kampion me liderin aktual Ballkanin dhe Dritën, por barazimi i fundit i ka larguar paksa në momentet vendimtare të kampionatit.

Lajme të ngjashme