Kërcënimi me armë ia shuan shpresat Messit për rikthim në klubin e fëmijërisë
Kthimi i Lionel Messit për të luajtur për klubin e fëmijërisë, Newell’s Old Boys, është i pamundur tani pasi burra të armatosur e kërcënuan, thotë trajneri Gabierl Heinze.
Dy burra të armatosur e lanë një mesazh kërcënues për sulmuesin e Paris Saint-Germainit në një dyqan ushqimi të zotëruar nga familja e bashkëshortes së 35-vjeçarit, Antonela Rocuzzo.
Sipas policisë argjentinase, 14 plumba u shkrepën nga burrat e armatosur dhe maskuar, të cilën e lanë këtë mesazh për Messin, para se të iknin nga vendi i ngjarjes: “Messi, ne po të presim ty. Javkin (Pablo Javkin, kryetari i Komunës së Rosarios) është tregtar droge. Ai nuk do të kujdeset për ju”.
Pas këtij incidenti, trajneri i Newell’s Old Boys dhe ish-përfaqësuesi i Argjentinës Heinze beson se Messi nuk do të kthehet në klubin e fëmijërisë pas këtyre kërcënimeve.
“Natyrisht se kjo e largon Leon dhe secilin. Ne po flasim për këtë sepse ai është Leo, por ka edhe shumë djem të tjerë të cilët duan të kthehet (në Argjentinë)”, tha Heinze.
Marrëveshja e fituesit të Kupës së Botës me PSG-në mbaron në verë dhe ai nuk ka vendosur ende se a ta pranojë ofertën për vazhdimin e saj apo jo.
Kohëve të fundit ka pasur thashetheme se Messi po mendon seriozisht të kthehet për të luajtur për klubin e fëmijërisë për një kohë të shkurtër, para se t’i bashkohet Inter Milanit në MLS.

Po ashtu, ka shenja se Messi dëshiron të vazhdojë të luajë në Evropë edhe për një kohë, me synim për ta fituar edhe një herë tjetër Ligën e Kampionëve.
Ai është duke kaluar një sezon të mrekullueshëm me PSG-në këtë edicion, duke e lënë pas sezonin debutues zhgënjyes.
Ai i ka shënuar 12 gola dhe i ka dhënë 12 asiste në 20 ndeshje në Ligue 1 deri tani këtë sezon.
Ndërsa në Ligën e Kampionëve i ka shënuar katër gola dhe katër asiste në gjashtë ndeshje.
