Këmbana e fundit
Me vërshëllimin e fundit të gjyqtarit në ndeshjen mbrëmë mes Kosovës e Bjellorusisë, dëgjova të tjera vërshëllima në tribunën e Lindjes ku isha ulur. Dikush si duket edhe ofendoi, pasi Mërgim Vojvoda u pa tejet i nervozuar. Aty shkoi edhe Fidan Aliti për ta qetësuar situatën. Kjo situatë e përshkruan më së miri komplet këtë cikël kualifikues të Kombëtares së Kosovës. Dështim, atmosferë e mykur, nervozizëm, deklarata pa turp e çka jo tjetër. Por, sigurisht fajet më së paku, ose fare, i ka Vojvoda e bashkëlojtarët e tij. Fajet janë në krye.
Shkruan: Besian Beha
Një kordon i Policisë që në çdo ndeshje të Kosovës vendosej në hyrjen e rrugës për stadium, mbrëmë nuk ishte. Dyert e tribunave ishin hapur vetëm në L4 dhe L1, ato L2 e L3 ishin të mbyllura. Ata pak tifozë që kishin blerë biletat, prisnin në shi. Krejt kjo situatë të cilën e kalova brenda pak minutave, e përshkruante më së miri situatën ku ishte Kombëtarja e Kosovës. Pa asnjë ambicie, pa dëshirë, pa organizim, pa strukturë, çka është më e keqja, pa plan.
Entuziazmin të cilin e kisha vërejtur në ndeshjen e parë si vendas të këtyre kualifikuesve në ndeshjen ndaj Andorës, tash për tifozët ishte kthyer veç në një dëshirë për të mos i lënë vetëm lojtarët e Kosovës. Kryesisht atyre të Superligës që iu ra hise ta bartnin barrën kryesore në këto ndeshjet e fundit. Mbase u përdorën edhe si ‘gomë rezervë’, sepse në të kaluarën Superliga e Kosovës disave iu dukej e padenjë.
Herë pas here merrja telefonin për ta shikuar rezultatin e ndeshjes Andorë-Izrael. Shpresoja, rrejshëm, që Izraeli të dështonte, e me një fitore të Kosovës ta mbyllnim aventurën në vendin e tretë. Ashtu, siç rrejshëm kishin premtuar udhëheqësit e Federatës, e unë rrejshëm kisha shpresuar që një vend në Evropian mund të ishte për Kosovën. Lëre që nuk e përfunduam në vendin e tretë, por Bjellorusia na shënoi gol, na mposhti për herën e dytë, e na la pas vetes në tabelë.
Me vërshëllimin e fundit të gjyqtarit dëgjova të tjera vërshëllima në tribunën e Lindjes ku isha ulur. Dikush si duket edhe ofendoi, pasi Mërgim Vojvoda u pa tejet i nervozuar. Aty shkoi edhe Fidan Aliti për ta qetësuar situatën. Kjo situatë e përshkruan më së miri komplet këtë cikël kualifikues të Kombëtares së Kosovës. Dështim, atmosferë e mykur, nervozizëm, deklarata pa turp e çka jo tjetër. Por, sigurisht fajet më së paku, ose fare, i ka Vojvoda e bashkëlojtarët e tij. Fajet janë në krye.
Pak para se ta shkruaja këtë opinion e rrëfim krejtësisht personal, lexova dy artikuj. Në Bullgari kishte pasur protesta të dhunshme ndaj udhëheqësve të Federatës së Futbollit për keqmenaxhim. E krahasova pak me situatën në Kosovë: shumë reagime në rrjete sociale, asnjë hap konkret, asnjë përgjegjësi. Ata që mbështesin linjën e Federatës planin e kishin të qartë: faji sërish t’i mbetet trajnerit. Natyrisht që e ka, por jo edhe pa përgjegjësinë e atyre që emëruan disa trajnerë, dështuan me të gjithë.
Deklaratat e menaxherit të Amir Rrahmanit, ato të Edon Zhegrovës, deklaratat e trajnerit Gliha, taksistët, këshillat. Të gjitha këto shpërfaqën nëpër lëdinë atë që dihej jozyrtarisht. Problemet janë të thella. Organizimi mungon. Presidenti i FFK-së me një rreth njerëzish duken sikur ta kenë okupuar një institucion, për të cilin nuk ka as transparencë, as llogaridhënie. Madje, për ata pak tifozë besnikë si unë që isha në stadium.
Nuk qëndron problemi te emrat e udhëheqësve. As nuk më interesojnë. Si tifoz që kam qenë në stadium në pothuajse secilën ndeshje që nga viti 2016, më intereson vetëm një gjë: loja, suksesi e emocionet e bukura nga kjo kombëtare. Agim Ademi është një emër, njëjtë edhe Muharrem Sahiti, Bajram Shala, apo të gjithë pa dallim. Ata janë bartës të organizatës të cilët kur dështojnë duhet të marrin përgjegjësi, ngjashëm siç mund të merrnin merita kur të kenë sukses. Nesër këta mund të mos jenë, mund të jetë tjetër kush, njëjtë do të jenë kritikat nëse edhe ata dështojnë. Me sportin përgjethsi, e me Kosovën në veçanti, personalisht më lidh vetëm dashuria e pastër, pa asnjë interes. Dëshira që kjo Kombëtare, kjo gjeneratë e këta lojtarë të shijojnë bashkë me neve një Evropian apo Botëror.
Situata e njëjtë me Dukën në Shqipëri. Kritikohej, akuzohej, sulmohej, çka jo. Ndryshoi, hartoi reforma, krijoi plan, bëri që Shqipëria të kthehet në model Kombëtare me lojë e organizim. Sot kualifikohet e para në Evropian. Suksesi i heshtë kritikat. Mirëpo, kjo ndërtohet dyanshëm. Jo secila kritikë të merret si dëshirë për pushtet, si sulm personal. Nëse kritikat nuk i pranoni as kur dështoni, atëherë nxitni dilema se interesat personale janë kthyer mbi shtetin e futbollin.
Vedati, Miloti, Amiri, Edoni, Mërgimi, Qëndrimi, Lumbardhi, Iliri e të gjithë lojtarët e tjerë, normalisht që nuk janë imunë ndaj kritikave. Mirëpo, disa sakrifikuan më shumë e disa më pak, erdhën dhe e kryen obligimin e tyre për ta veshur fanellën e Kosovës. Ata meritojnë organizim, meritojnë trajner kualitativ, meritojnë strategji të menduar mirë për ta zbatuar në fushë. Nëse refuzojnë, do t’i kritikojmë edhe ata, siç edhe ka ndodhur.
E që të ketë Vedata, Milota, Amira, Edona të tjerë që dalin nga lloçi i Kosovës, apo i thonë PO kombëtares së Kosovës nga vendet e Evropës, është momenti i fundit që të reflektojmë të gjithë.
Ky grup ku Kosova përfundoi e parafundit, mund të shkojë kohë e gjatë e të mos përsëritet. Kombëtare të tilla mund të mos na bien në grup më. Megjithatë, ajo tashmë është e kaluar. Kjo duhet të shërbejë si një KËMBANË E FUNDIT për t’u kfjellur. Një KËMBANË e fundit për të marrë pëgjegjësi, për të dhënë llogari secili që zgjohet në mëngjes si punëtor në futbollin e Kosovës. Një KËMBANË e fundit edhe për neve tifozëve që të jemi më të zëshëm e të kërkojmë atë që meritojmë. Suksesin e krenarinë.
Shënim: Opinioni është krejtësisht bindje personale e autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimin e gazetës.