Keane e pranon: Largimi i Cristiano Ronaldos i ndihmoi shumë Manchester Unitedit
Legjenda e Manchester Unitedit, Roy Keane, e ka pranuar se largimi i Cristiano Ronaldos i ka ndihmuar trajnerit Erik ten Hag t’i ndryshojë gjërat për mirë në United.
Keane e mbuloi ndeshjen gjysmëfinale të Unitedit kundër Nottingham Forestit në Kupën e Ligës për Sky Sports të mërkurën, të cilën djajtë e kuq e fituan 2:0 duke kaluar në finale me rezultat të përgjithshëm prej 5:0 nga dy ndeshjet.
Që prej largimit të Ronaldos në nëntor me vendim të përbashkët për ta shkëputur kontratën, Unitedi e ka gjetur një formë të jashtëzakonshme, duke i fituar 12 ndeshje radhazi në Old Trafford.
Keane njihet si njëri prej njerëzve të pakët që i dolën krah Ronaldos gjatë kohës kur portugezi po kritikohej ashpër në pjesën e parë të këtij sezoni, por tani edhe ai e ka pranuar se largimi i ish-bashkëlojtarit të vet i ka ndihmuar trajnerit t’i ndryshojë gjërat për mirë.

“Mendoj se e ka ndihmuar trajnerin dhe klubin largimi i Ronaldos. Situata e Ronaldos, natyrisht ai nuk do të ulej në bankë dhe të ndihej i lumtur. Ata e kanë zgjidhur këtë problem dhe tani nuk rëndon më mbi supet e klubit”, tha Keane për largimin e Ronaldos.
Megjithëse e pranoi se Unitedi është ekip më i mirë pa Ronaldon, i cili ka nisur tani një sfidë të re në Arabinë Saudite me Al Nassar, Keane ndien se largimet e mëdha që i bëri Ten Hag në verë ishin edhe më të rëndësishme.
Paul Pogba, Jesse Lingard dhe Edinson Cavani u larguan si lojtarë të lirë në verë dhe Keane është shumë i kënaqur me ikjen e tyre.
“Ata pesë apo gjashtë djemtë tjerë që u larguan, dhe Cavani, të cilët kur futeshin në lojë nga banka rezervë nuk sillnin asgjë, sepse mendonin se duhet të luanin titullarë, vetëm ua shternin energjinë të tjerëve”.
Ai shtoi: “Tani rreth klubit mund ta ndiesh një energji të re dhe ka një ndjesi se faktori i mirë është rikthyer”.