KB Trepça finalisti i parë i Kupës së Kosovës, e mposhtin Yllin në gjysmëfinale - NACIONALE

KB Trepça finalisti i parë i Kupës së Kosovës, e mposhtin Yllin në gjysmëfinale

2 vjet më parë

nga NACIONALE

KB Trepça është konfirmuar si klubi i parë që arrin finalen e Kupës së Kosovës në basketboll, pasi fitoi ndaj Yllit në gjysmëfinale, me rezultat 72:59.

FINAL 8 apo tetë skuadrat më të mira kosovare, morën pjesë në organizimin që po bëhet në Gjakovë, palestrën Shani Nushi.

Me 13 dhe 14 shkurt u zhvilluan çerekfinalet, ku fituan Trepça, Ylli, Bashkimi dhe Prishtina, me turneun që vazhdoi sot.

Kampioni në fuqi, Trepça u përball me Yllin në gjysmëfinalen e parë.

Mitrovicasit e filluan shumë mirë takimin, duke fituar çerekun e parë me 12 pikë epërsi, apo rezultat 22:10.

Skuadra nga Suhareka ishte diçka më e mirë në periodën e dytë, ku triumfoi me rezultat 21:15, me torcidasit që shkuan në pushim me epërsi prej gjashtë pikëve.

Trepça e Adis Beciragic luajti më mirë në çerekun e tretë, për të shkuar në 10 minutat e fundit të takimit me 15 pikë epërsi.

Deri në fund, Ylli ngushtoi sadopak epërsinë, për të humbur në fund me 13 pikë epërsi, apo rezultati përfundimtar 72:59 në të mirë të Trepçës.

Më i dalluari në këtë përballje ishte Drilon Hajrizi, si zakonisht. Ai kontribuoi me 14 pikë, tetë rebounds e katër asistime, për t'u ndihmuar edhe nga Capers e Tshimanga që shtuan nga 13 pikë respektivisht.

Te Ylli me paraqitje të mirë ishte Alonso Verge Jr, që shënoi 18 pikë duke shtuar edhe katër rebounds e shtatë asistime.

Kështu Trepça është finalisti i parë i Kupës së Kosovës dhe në rrugë të mirë për ta fituar këtë titull për herë të tretë radhazi.

Në gjysmëfinalen tjetër përballen Bashkimi e Prishtina, që zhvillohet me fillim nga ora 20:00, kurse kujtojmë se nesër pushohet, për të vazhduar me finalen e madhe që zhvillohet më 17 shkurt, Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme